Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar rreth 6 milionë pasagjerë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke u renditur i pari mes aeroporteve të rajonit për numrin e udhëtarëve.
Shifra është publikuar nga kryeministri Edi Rama, sipas të cilit trafiku i pasagjerëve në aeroportin “Nënë Tereza” është rritur me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Pas Tiranës renditet Aeroporti i Beogradit me 4.2 milionë pasagjerë, ndërsa aeroportet e Zagrebit dhe Prishtinës kanë regjistruar përkatësisht 2.2 dhe 2.1 milionë udhëtarë.
Rritja e Aeroportit të Tiranës është ndjeshëm më e lartë se mesatarja europiane. Sipas ACI EUROPE, trafiku në aeroportet e Europës u rrit me vetëm 2.6% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa Tirana shënoi një rritje prej 17.2%.
Zgjerimi i destinacioneve, shtimi i fluturimeve dhe numri në rritje i turistëve që vizitojnë Shqipërinë konsiderohen faktorët kryesorë të kësaj performance.
