Air Transat do të rikthejë fluturimet direkte ndërmjet Tiranës dhe Torontos më 8 maj 2027, duke nisur më herët sezonin dhe duke shtuar frekuencat gjatë verës.
Lajmi është bërë i ditur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), pas përfundimit të sezonit të parë të operimeve të kompanisë kanadeze në Shqipëri.
Sipas kalendarit të njoftuar për vitin 2027, fillimisht linja do të operojë një herë në javë, çdo të shtunë. Nga 22 qershori, frekuenca do të rritet në dy fluturime javore, çdo të martë dhe të shtunë, një ritëm që do të vijojë gjatë korrikut dhe gushtit.
Në shtator, Air Transat do të rikthehet në një fluturim javor, çdo të shtunë. Sezoni është planifikuar të përmbyllet më 23 tetor 2027.
Zgjerimi i kalendarit vjen pas sezonit të parë të fluturimeve direkte Tiranë–Toronto, i cili nisi më 19 qershor dhe përfundoi më 9 tetor 2026. Kjo linjë shënoi lidhjen e parë ajrore direkte ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë, duke krijuar mundësi të reja udhëtimi për diasporën shqiptare, turistët dhe pasagjerët nga rajoni.
Sipas TIA-s, shtimi i fluturimeve gjatë verës 2027 do t’u ofrojë pasagjerëve më shumë fleksibilitet në planifikimin e udhëtimeve dhe do të mbështesë lidhjet mes dy vendeve, si dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
Aeroporti e cilëson rikthimin e kompanisë si një hap drejt bashkëpunimit afatgjatë për zgjerimin e transportit ajror ndërmjet Shqipërisë dhe Amerikës së Veriut. TIA ka falënderuar Air Transat për bashkëpunimin dhe pasagjerët që zgjodhën këtë linjë gjatë sezonit të parë.
Biletat për sezonin 2027 janë të disponueshme për rezervim në “faqen zyrtare të Air Transat” (https://www.airtransat.com).
