Ndërsa në Shqipëri Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka vendosur gjoba ndaj televizioneve që kanë transmetuar deklarata me thirrje për dhunë ekstreme, në Francë autoriteti rregullator “Arcom” ka ndëshkuar televizionin C8 me 3.5 milionë euro edhe për fyerjet e moderatorit ndaj një deputeti.
Në rastin shqiptar, gjobat e AMA-s lidhen me transmetimin e deklaratave të rënda nga të ftuar apo telefonues, me thirrje si: “T’i djegim brenda me gjithë fëmijë”, “t’i tërheqim zvarrë” apo kërcënime të tjera me dhunë ndaj personave dhe familjarëve të tyre.
Ndërsa në Francë, Arcom vendosi gjobën prej 3.5 milionë eurosh ndaj televizionit C8, pasi moderatori përdori disa shprehje fyese ndaj një deputeti, duke e cilësuar atë si “të trashë”, “humbës”, “bufon” dhe “mut”, gjatë emisionit “Touche pas à mon poste”, të transmetuar më 10 nëntor 2022.
Televizioni e ankimoi gjobën pranë Bordit të Autoritetit duke sjellë argumentet kundër sanksionit financiar.
Autoriteti francez vlerësoi se këto shprehje cenonin nderin dhe reputacionin e deputetit, ndërsa televizioni kishte dështuar në kontrollin editorial të programit. Televizioni pranoi përgjegjësinë editoriale.
Në Francë dhe në Shqipëri sanksionet nuk kufizohen vetëm te thirrjet për dhunë, por përfshijnë edhe gjuhën fyese gjatë transmetimeve televizive.
