Një vit pa Shpat Kasapin! Më 26 nëntor mbushet një vit nga ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit të njohur, i cili ndërroi jetë pas një ataku në zemër. Në këtë përvjetor, familja e tij ka zgjedhur ta kujtojë përmes një mbrëmjeje të veçantë kushtuar jetës dhe veprës së tij artistike.
Ka qenë bashkëshortja e këngëtarit ajo që ka ndarë lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku krahas njoftimit për aktivitetin përkujtimor, ka publikuar edhe një dedikim mjaft emocionues për bashkëshortin e ndjerë.
Ajo rrëfen se mungesa e Shpatit ndihet çdo ditë, veçanërisht teksa sheh djalin e tyre, Roelin, duke u rritur dhe duke zbuluar botën pa praninë e të atit.
“Ka mungesa që nuk i mbush as koha, as fjalët. E jotja është një prej tyre”, shkruan ajo, duke shprehur mallin për momentet që do të dëshironte t’i ndante me të.
Më tej, bashkëshortja tregon se dëshira e saj më e madhe është që Shpati të ishte pranë për të parë rritjen e të birit.
“Do të doja të dëgjoje zërin e tij, të qeshje me të dhe të përjetoje çdo moment që koha nuk na la ta jetonim së bashku. Unë do të jem gjithmonë aty për t’i treguar për ty, për muzikën tënde, për buzëqeshjen tënde dhe për dashurinë që kishe për të”, thuhet në dedikimin e saj.
Në fund të mesazhit, ajo njofton se më 29 nëntor do të mblidhen për të kujtuar Shpatin, jo vetëm si artist, por edhe si njeriun që la pas kujtime të paharruara te familjarët dhe njerëzit që e deshën.
Mbrëmja përkujtimore do të mbahet në orën 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku do të kujtohen jeta dhe kontributi artistik i këngëtarit.
