Pas dedikimeve virale të Brikenës për Mateon dhe daljeve publike së bashku, çifti duket se po kalon sërish një periudhë të vështirë në marrëdhënien e tyre. Dyshimet për një tjetër krisje janë shtuar pasi të dy kanë fshirë fotografitë e përbashkëta nga profilet e tyre në Instagram, ndërsa kanë hequr edhe njëri-tjetrin nga lista e ndjekësve.
As Brikena dhe as Mateo nuk kanë reaguar drejtpërdrejt për një ndarje të mundshme. Ndërkohë, Brikena ka vijuar aktivitetin në rrjetet sociale duke publikuar dy postime promocionale në feed, pas zhurmës së krijuar në rrjet. Mateo, nga ana tjetër, ka qenë më i tërhequr, duke zhvilluar vetëm një bisedë me ndjekësit, ku u është përgjigjur disa kritikave që, sipas tij, ka vënë re së fundmi, pa specifikuar konkretisht se për çfarë bëhej fjalë.
Në mesazhin e tij, Mateo ka theksuar se nuk dëshiron të japë shpjegime për jetën personale dhe se nuk ka dalë në intervista për të sqaruar situatat që lidhen me të. Ai ka kundërshtuar interpretimet e çdo veprimi të tij në rrjetet sociale, duke u shprehur se njerëzit po i hiperbolizojnë ngjarjet dhe po krijojnë drama mbi supozime. Mateo ka sqaruar gjithashtu se dalja e tij në një ditëlindje, ku nuk kishte zgjedhur të publikonte asgjë, nuk kishte asnjë prapavijë, pasi bëhej fjalë për festën e një miku dhe nuk kishte arsye të mos merrte pjesë për shkak të komenteve të mundshme.
Kjo nuk është hera e parë që marrëdhënia e tyre vihet në pikëpyetje pas përfundimit të Big Brother VIP Albania. Përpos ndjekësve që i kanë mbështetur dhe shpresojnë në vazhdimësinë e lidhjes, nuk kanë munguar as zërat kritikë, sipas të cilëve këto krisje dhe afrime mund të shërbejnë për të tërhequr vëmendje dhe për të mbajtur audiencën të angazhuar në profilet e tyre sociale.
