Neda Karafili ka fituar kujdestarinë e tre fëmijëve pas divorcit nga Ogren Balluku, mëson Vip Magazine. Megjithatë, pavarësisht vendimit të gjykatës, situata mes ish-bashkëshortëve duket se vijon të jetë e tensionuar.
Sipas asaj që Neda ka rrëfyer, dy djemtë qëndrojnë aktualisht me të atin, Ogren Ballukun, i cili, sipas pretendimeve të saj, e pengon të takojë fëmijët.
Për këtë situatë ka reaguar edhe avokatja e saj, Greta Çela, e cila përmes një letre të dërguar në emisionin “Goca & Gra” ka ngritur shqetësime për moszbatimin e vendimit gjyqësor dhe pretenduar shkelje nga ana e Shërbimit Përmbarimor. Ajo bëri të ditur gjithashtu se është depozituar një kallëzim penal për “Shpërdorim detyre” dhe se Ministria e Drejtësisë ka nisur procedim disiplinor.
Nga ana tjetër, Neda i ka dërguar një mesazh moderatoreve të emisionit, i cili u lexua drejtpërdrejt në studio, ku shprehu dhimbjen për situatën dhe nevojën për mbështetje.
“As armikut tim më të madh nuk ia uroj hallin që më ka rënë. Kam nevojë për çdo ndihmë që mund të më jepet. Zoti më ka falur tre drita sysh, nga të cilët nuk mund të më ndajë njeri në këtë tokë”, shkruante ajo.
