Masat ajrore të ftohta me origjinë verilindore do të kushtëzojnë kushtet atmosferike në vendin tonë, duke sjellë mot të kthjellët, por të ftohtë gjatë orëve të paraditës.
Sipas MeteoAlb, pjesa e dytë e ditës do të mbizotërohet nga kthjellime dhe vranësira të pakta në bregdet dhe zonat e ulëta, por vranësira disi më të dukshme priten në zonat malore përgjatë kufirit lindor, duke sjellë në orët e vona të natës momente me flokë dëbore në zonat e thella malore.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të theksuar në vlerat minimale, duke u luhatur nga 1°C, temperatura më e ulët e shënuar në Bulqizë, deri në 21°C, pritet vlera maksimale në rang territori.
Era do të fryjë mesatare, me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi lindor-verilindor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të gjenerohet dallgëzim mbi 2 ballë.
