Në Shqipëri ka më shumë gra se burra. Një raport i fundit i INSTAT për vitin 2025 zbuloi se nga popullsia banuese brenda vendit 50,6 % ishin gra dhe 49,4 % burra.
Në vend jetojnë rreth 28 mijë gra më shumë se burra, pavarësisht se vazhdojnë të lindin më shumë djem se vajza.
Sipas institutit të statistikave, raporti gjinor në lindje për vitin 2025 ishte 108 djem për çdo 100 vajza. Por cilat janë arsyet që çojnë në përmbysjen e shifrave?
“Ajo që ndihet më shumë në familjet e shoqërisë shqiptare është pjesa e meshkujve që emigrojnë më shumë. Kemi edhe një ndryshim sa i takon jetëgjatësisë. Femrat kanë më shumë jetëgjatësi dhe kjo është e lidhur me shumë faktorë, që kanë të bëjnë me pikëpamjen e parë gjenetike”, tha sociologia, Arjana Muçaj.
Ky raport i pabarabartë mes burrave dhe grave në vend sjell gjithashtu një sërë pasojash sociale që vijnë kryesisht nga emigrimi.
“Në radhë të parë gratë duhet të marrin rolin e burrit në familje. Ky është një boshllëk emocional që lë largimi i burrit nga familja me gruan. Pasiguritë ekonomike që janë kryesore, çdo gjë në familje varet nga të ardhurat e bashkëshortit në emigrim. Por edhe tek fëmijët sepse boshlloëku i prindit baba ndikon në grupmosha të nryshme të fëmijëve”, tha Muçaj.
Gratë dominojnë edhe në arsim. Nga mbi 28 mijë studentë që u diplomuan në vitin akademik 2024-2025 rreth 65% e tyre ishin vajza.
“Po të shohim në auditorë kemi më shumë vajza se djem. Ky është një nga elementët më pozitivë që i ndodh shoqërisë shqiptare sepse një femër e arsimuar do të thotë një shoqëri më e zhvilluar”, tha Muçaj.
Nga ana tjetër sipas sociologes hendeku në formim mes vajzave dhe djemve sjell ndikim negativ tek krijimi i familjeve të reja, duke çuar në rritjen e numrit të beqarëve, fenomen i pranishëm në vitet e fundit./Tv Klan
