Moderatorja Neda Balluku ka ndarë një tjetër postim emocional për djemtë e saj, Zai dhe Serzh, të cilët prej kohësh nuk mund t’i takojë.
Përmes një shkrimi të gjatë në Instagram, ajo rrëfen ndjesitë e një nëne që pret të jetë sërish pranë fëmijëve të saj, duke përshkruar lodhjen, mungesën dhe dhimbjen që shoqëron këtë pritje.
“Kur çunat nuk vijnë, mosha ime ndalet. Çdo rrudhë shfrytëzon ajrin që mungon dhe veten ripërtërin. Papritur unë jam më e re, më e vogël, më e dobët, më e brishtë, por më e lodhur, më në pritje, më e humbur dhe më pa shpresë. E megjithatë, ende nënë. Mund të isha motër fare mirë apo edhe bijë (imagjino!) por mbetem nënë. Pa rrudha. Pa shenjën e bisturisë në fund të barkut. Por me emrat e tyre brenda meje gjithmonë. Kur çunat nuk vijnë, asnjë fjalë nuk është shkruar asnjëherë dhe unë kurrë nuk kam lexuar. Se nuk kam si të kem lexuar kur çunat nuk vijnë, dhe unë nuk lexoj dot shprehitë e fytyrës së tyre. Buzëqeshjen e pavullnetshme të Zait sapo më sheh dhe luftën që nis me veten për ta përmbajtur. Apo ngrysjen e vetullave të Serzhit, tërësisht gjurmë flagrante e ngjashmërisë që ka me nënën e tij. Kur çunat nuk vijnë, të tjerët më pyesin se çfarë po pres. Të tjerët më thonë mos e shkruaj atë që ndjen. Të tjerët më thonë të tjera gjëra. Por askush dhe asgjë nuk vlen as sa çunat, qoftë edhe kur nuk vijnë. Edhe mungesa e tyre është prani”, shkruan moderatorja.
Neda Balluku është ndarë nga bashkëshorti i saj, Ogren Balluku, dhe çështja mes tyre ka përfunduar edhe në dyert e drejtësisë, me pretendime të ndërsjella për dhunë. Në janar të vitit 2026, të dy iu drejtuan gjykatës për urdhra mbrojtjeje.
