Lori Hoxha ka njoftuar anulimin e festës së përvitshme të Top Channel, e planifikuar të mbahej mbrëmjen e sotme, në kuadër të 25-vjetorit të televizionit.
Në një mesazh drejtuar kolegëve, ajo shpjegon se vendimi është marrë në respekt të situatës dhe zhvillimeve të fundit, duke theksuar se kjo është një mënyrë për të treguar përgjegjësi dhe mbështetje për kolegët që vijojnë punën në terren, pavarësisht presionit dhe tensioneve.
Megjithatë, Lori nënvizon se 25 vitet e Top Channel meritojnë të festohen dhe se ky përvjetor do të festohet, duke shprehur krenarinë për punën dhe përkushtimin e stafit të televizionit.
Mesazhi i Lori Hoxhes drejtuar stafit
Miq e kolegë,
Sot kishim planifikuar të festonim ditëlindjen e Tanit, si çdo vit. Dhe kemi çfarë të festojmë, mbi të gjitha njerëzit që e kanë ndërtuar dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë këtë institucion çdo ditë.
Por ka një kohë për të festuar dhe një kohë për të treguar përgjegjësi.
Duke parë atmosferën e këtyre ditëve dhe në respekt të asaj që po ndodh, kam vendosur ta anulojmë mbrëmjen e sotme.
Kjo është edhe një shenjë mbështetjeje për të gjithë kolegët tanë që janë në terren, që raportojnë në kushte të vështira dhe që vazhdojnë të bëjnë punën e tyre me profesionalizëm, pavarësisht presionit dhe tensioneve.
Nuk kemi asgjë për të fshehur dhe asnjë arsye për ta ulur krenarinë tonë. 25 vitet tona meritojnë të festohen. Dhe do të festohen.
Sot, megjithatë, zgjedhim të jemi aty ku na kërkon detyra.
Jam krenare për ju, për punën tuaj dhe për atë që përfaqësojmë së bashku.
Top Channel nuk e ka treguar forcën duke festuar sukseset e veta, por duke qëndruar në këmbë kur ka qenë më e vështirë. Dhe kështu do të vazhdojmë.
Lori
