Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka zgjedhur ta prezantojë skemën e mbështetjes për startup-et si një histori suksesi.
Por ndërsa ministria flet për inovacion, teknologji dhe sipërmarrje, pikëpyetjet mbi mënyrën se si janë shpërndarë fondet publike mbeten në qendër të debatit.
Ku po shkojnë realisht paratë e taksapaguesve dhe sa transparent ka qenë procesi i përzgjedhjes?
Në reagimin e saj të sotëm, Ibrahimaj u ndal te aplikantët që nuk janë përzgjedhur, duke u kërkuar atyre të provojnë sërish.
Ministrja foli për 1179 aplikime dhe për sipërmarrësit që, sipas saj, kanë kaluar “netë pa gjumë” duke punuar për projektet e tyre.
Ajo pranoi se mes aplikantëve ka zhgënjim dhe njoftoi hapjen e sesioneve të konsultimit për të gjithë ata që nuk janë përzgjedhur.
Por kjo deklaratë ngre një pyetje të thjeshtë: pse duhet të presë tani aplikanti për t’u ulur “ballë për ballë” me ekspertët për të mësuar se ku ka humbur pikë?
Nëse procesi ka qenë transparent, pse kjo transparencë nuk është bërë e plotë që në momentin e shpalljes së rezultateve?
Pse aplikantëve nuk iu vu në dispozicion pikëzimi i detajuar?
Dhe pse procesi i ankimit nuk u shoqërua, për secilin aplikant, me një shpjegim të qartë mbi kriteret ku projekti kishte humbur pikë?
“Provo përsëri” nuk është përgjigje për mungesën e transparencës.
“Sot dua të flas për Kreshnikun dhe për të gjithë ata që nuk dolën fitues. Dua të përqëndrohem tek 1179 aplikimet, pas të cilave ka njerëz, ka netë pa gjumë, ide të zhvilluara ndër vite dhe mbi të gjitha guxim për të filluar”, shprehet Ibrahimaj.
Ministrja deklaroi gjithashtu se 20 startup-e të shpallura fituese në vitin 2026 kishin aplikuar edhe më parë, duke argumentuar se ato kishin punuar me institucionet, kishin përmirësuar projektet dhe më pas kishin arritur të fitonin.
Ajo njoftoi se aplikantët e papërzgjedhur do të kenë mundësi të konsultohen me ekspertët për të kuptuar se “çfarë funksionoi dhe çfarë duhet forcuar”.
Por këtu qëndron edhe një nga paradokset e procesit.
Si mund të përmirësojë një sipërmarrës aplikimin e tij, nëse nuk ka marrë më parë një pasqyrë të plotë dhe të dokumentuar të mënyrës se si është vlerësuar?
Një konsultim pas rezultatit mund të jetë i dobishëm. Por nuk mund të zëvendësojë transparencën që duhet të shoqërojë vetë procesin e përzgjedhjes.
Pikërisht fituesit e përsëritur janë në qendër të pikëpyetjeve
Argumenti i ministres për 20 startup-et që kanë fituar pasi kanë aplikuar edhe më parë nuk e mbyll debatin. Përkundrazi, e rikthen atë te një prej çështjeve që Pamfleti ka ngritur prej 29 korrikut: përfituesit e përsëritur të fondeve.
Sipas krahasimit të listave zyrtare të viteve 2024, 2025 dhe 2026, kompani si, Axiom Breach, B2Balkan, Autokorrektori i Gjuhës Shqipe dhe Komuniteti figurojnë si fitues në të tre thirrjet.
Ndërkohë, MedWallet, VLEPA dhe subjekte të tjera rezultojnë në më shumë se një vit financimi.
Në raste të tjera të raportuara, ngrihet edhe pretendimi se i njëjti person dhe i njëjti NIPT janë financuar përmes emrave të ndryshëm projektesh.
Këto të dhëna, në vetvete, nuk provojnë abuzim. Por ato janë të mjaftueshme për të kërkuar një përgjigje të qartë nga institucionet: cilat kanë qenë rezultatet e financimeve të mëparshme dhe mbi çfarë baze janë konsideruar sërish konkurruese këto projekte?
22 milionë euro të financuara dhe 6 milionë të tjera në 2027
Ibrahimaj deklaroi se që nga viti 2022 janë financuar 22 milionë euro, ndërsa në buxhetin e vitit 2027 parashikohen edhe 6 milionë euro të tjera për startup-et.
Ministrja prezantoi gjithashtu planin për krijimin e Fondit Shqiptar të Inovacionit, me synimin që startup-et jo vetëm të nisin aktivitetin, por edhe të rriten.
“Granti ishte vetëm fillimi”, tha Ibrahimaj, duke premtuar se askush që guxon të ndërtojë një biznes inovativ nuk do të mbetet vetëm.
Por sa më e madhe të jetë shuma e fondeve publike, aq më e madhe është edhe nevoja për transparencë.
Nëse në pak vite janë shpërndarë dhjetëra milionë euro, publiku duhet të ketë mundësi të shohë qartë:
Cilat kompani kanë përfituar, sa kanë përfituar, sa herë kanë përfituar, me sa pikë janë vlerësuar, cilat kanë qenë kriteret, çfarë objektivash kanë realizuar dhe cilat kanë qenë rezultatet konkrete të financimeve të mëparshme.
Publiku nuk kërkon vetëm histori suksesi
Një sipërmarrës që nuk është përzgjedhur mund të këshillohet dhe mund të aplikojë përsëri. Kjo është normale.
Por pyetja që kërkon përgjigje nuk lidhet vetëm me ata që humbën.
Ajo lidhet mbi të gjitha me ata që fituan.
Sepse kur bëhet fjalë për fonde publike, nuk mjafton të thuhet se një projekt ishte më i mirë se një tjetër. Duhet të tregohet pse ishte më i mirë.
Dhe kur një subjekt rikthehet në listën e përfituesve, pyetja është edhe më e drejtpërdrejtë: Çfarë rezultatesh ka prodhuar me financimin e mëparshëm dhe pse meriton një financim të ri?
Këtyre pyetjeve ministrja nuk iu përgjigj sot në mënyrë të detajuar.
Në vend të kësaj, publikut iu tregua historia e aplikantëve që nuk fituan dhe iu ofrua mundësia për të provuar sërish.
Por transparenca nuk duhet të nisë pasi një sipërmarrës humbet. Ajo duhet të nisë që në momentin kur paratë publike ndahen.
