Tuesday, December 24, 2024

Artan Hoxha zbardh prapaskenat e bujshme: Fredi Beleri u kap me ‘presh’ në duar, kishte 2 telefona kur u arrestua, brenda tyre ka ‘thesare’, pas tij ka interesa anti-shqiptare

Gazetari Artan Hoxha dhe eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço kanë folur rreth çështjes “Beleri”. Fillimisht ka qenë gazetari Hoxha, i cili ka zbuluar detaje në lidhje me arrestimin e kandidatit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri. Në një intervistë televizive , Hoxha u shpreh dje se gjatë arrestimit të Belerit, këtij të fundit i janë kapur 2 celularë dhe se një nga motivet se pse ai është vizituar nga diplomatët grekë në qeli kanë qenë pikërisht telefonat e tij. Sipas Hoxhës nëse këto pajisje do kontrollohen do kemi një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare, ndërsa i cilësoi përmbajtjet e tyre si “thesare”. Sakaq, ai tregoi atë që do ndodhë me mandatin e Belerit si kryebashkiak i Himarës, duke thënë se ai nuk e ka bërë betimin dhe mund të ndodhë që Këshilli i Ministrave të kërkojë zgjedhje të reja në këtë bashki. “Është kapur me presh në duar. Fredi Belerit i janë kapur 2 celularë dhe një nga motivet pse diplomatët grekë e kanë kontaktuar në qeli janë telefonat e tij. Nëse telefonat e Belerit hapen do kemi një çështjes që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Nuk ka të bëjë me Belerin si shtetas por me personazhin sepse përfaqëson interesa anti-shqiptare. Ky del me simbolin e një çështjeje që kërkon të copëzojë vendin. Beleri ka qenë në vëzhgim dhe janë bërë përpjekje për ta kapur. Në fushatë kanë qenë dhe shërbimet greke në mbështetje të Belerit. Aty është blerë me 50 mijë lekë vota dhe 300 mijë sekserit. Ka prova që është kapur. Kjo gjë është dokumentuar. Nëse hapen celularët e Belerit aty ka thesare. Sot Beleri nuk e ka marrë mandatin, thjesht ka fituar zgjedhjet. Një rast i ngjashëm ka qenë në Shkodër ku fitoi kandidati i PS dhe u rrëzua dhe nuk bëri betimin. Nëse Beleri nuk bën betimin, Këshilli i Ministrave ia heq mandatin dhe kërkon zgjedhje të reja në Himarë. E njëjta gjë u bë me Lefter Allën një muaj më parë. Ka ndodhur disa herë, por hetimi duhet të shkojë deri në fund. Pala greke është e interesuar që celularët e Belerit të mos hapen”, deklaroi ai.

Hetimi i Belerit

Më tej gazetari Hoxha theksoi se arrestimi i Belerit nuk ka të bëjë me dhunimin e të drejtave të minoritarëve pasi Himara nuk është një zonë e tillë, ndërsa shtoi se ky i fundit hetohej prej kohësh nga autoritetet. Hoxha zbuloi se njësitë anti-terror kanë qenë pas Belerit për shkak se ai kishte lidhje të forta me njerëz që përfaqësonin interesa anti-shqiptare. “Shqipëria i ka të qarta zonat minoritare, Himara as nuk ka qenë dhe as nuk është, sepse dominohet nga shqiptarët. Aty ka shqiptarë greqisht folës, por nuk është zonë minoritare. Beleri nuk kandidon për herë të parë për Himarën. Beleri është dënuar për djegien e flamurit shqiptar në vitin 2003. Në vitin 2014 kthehet Beleri dhe kandidon në 2015 dhe 2019, por nuk ia del. Fredi Belerit iu mundësuan kushtet që të kandidonte sërish dhe nuk pati pengesa. Minoriteti grek në vend ka shumë intelektualë dhe njerëz të zotë, pra si është e mundur që zgjidhet një person i tillë? Si mund të pranojnë Berisha dhe Meta për kandidimin e Belerit. Berisha dhe Meta nuk e kanë uruar Belerin për fitoren në Himarë, sepse e dinë çfarë ka bërë. Rama është njoftuar prej kohësh, autoritetet kanë hetuar prej kohësh për kandidimin e Belerit dhe tentativat e tij. Pas Belerit qëndronin interesa që cenojnë interesin territorial të Shqipërisë. Prandaj atë e ka hetuar antiterrori. Po përgatitej prej kohësh. Ai kishte pas njerëzit më anti-shqiptarë. Ishte problem i sigurisë kombëtare. Qeveria nuk u përpoq për të penguar kandidimin e tij sepse e dinin çfarë po bëhej”, nënvizoi Hoxha.

Reagon Karamuço

Nga ana tjetër, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, ka shpjeguar dje në një intervistë televizive se si do të veprohet në vazhdim me kryebashkiakun e Himarës Fredi Belerin, i cili është në paraburgim. Karamuço u shpreh se nëse Beleri nuk betohet apo nuk paraqitet për tre muaj në bashki, e humb mandatin dhe shkarkohet. Vendimi për shkarkimin e tij mund të merret nga Këshilli i Ministrave, tregoi Karamuço. Nëse ai nuk betohet për të marrë mandatin nuk është më kryetar bashkie, nëse nuk paraqitet tre muaj në detyrë menjëherë shkarkohet. Ne kemi një jurisprudencë të kryetarit të bashkisë Dibër, Shykriut në të cilën Gjykata Kushtetuese ka vendosur që edhe pse personi nuk është dënuar ende me vendim gjyqësor të formës së prerë, vendimi konkurron, sepse i lihet kompetencë me kushtetutë qeverisë, që për çdo çështje që ata gjykojnë se është shkelje flagrante e kushtetutës, mund ta shkarkojë. Lihet në fuqi edhe kjo pjesë. Shkarkimi e ka në dorë Këshilli i Ministrave jo në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministri”, deklaroi Karamuço.

Box 1

Karamuço: Bletët mund të përdoren për gjetjen e trupave të të zhdukurve në Sarandë

Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço i ftuar dje në një studio foli në lidhje me dy të zhdukurit në Sarandë dhe për pistat që mund të çojnë në zbulimin e tyre nëse kanë vdekur. Ai tha se në Virginia të SHBA, në një prej universiteteve bletët janë përdorur për të zbuluar, dy të zhdukur që ishin groposur. “Janë disa versione dhe variante. Bletët kanë qenë për një rast, në universitetin e Virginia-s, ku janë përdorur në një skenë të njëjtë me dy të zhdukur. Bletët kanë një perimetër prej 12 milje që fluturojnë. Në këtë zonë ka bletë që i rrisin vetë, të cilat po t’iu shtrohen disa analizave, ku nëse ka pasur viktima diku, janë disa elementë (fluturues) të dekompozimit, proteinik që bleta e merr me  vete. Dhe ka dalë që në një nga bletët, ka rezultuar që e ka konsumuar këtë element. Dhe kur kanë shkuar të kontrollojnë zonën prej 5 miljesh, janë gjetur dy kufomat”, deklaroi eksperti Karamuço.

Kolonë

Asgjësohet kanabis në Krujë, nuk dihen autorët

Plot 855 rrënjë kanabis u asgjësuan dje nga Policia e Krujës, pas një kontrolli të imtësishëm në zonë. Dronët zbuluan se në zonën pyjore të malit të Brretit, ishin krijuar 5 ambiente të hapura ku kultivohej cannabis sativa. Fidanët dhe bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij aktiviteti kriminal.

Gjykata e Posaçme shtyn seancën për inceneratorin e Fierit

Seanca për inceneratorin e Fierit është shtyrë sërish dje. Gjykata e Posaçme argumentoi se duhet ende kohë për t’u njohur me kërkesat e palës mbrojtëse. Ndërkohë, seanca e radhës u caktua në datën 29 Maj, ora 10:00. Sipas të togave, kërkesat janë voluminoze dhe kërkojnë kohë për njohjen e tyre. mes personave që kishin pretendime, ishin Arben Dervishaj, i cili kërkoi shpalljen e moskompetencës nga GJKKO dhe kalimin për në Gjykatën e Tiranës. Gjithashtu, përmes mbrojtjes Dervishaj kërkoi nga prokuroria të sqarojë qëndrimin e saj mbi akuzat e rikualifikuara në seancën paraprake.

Kanosi me thikë të moshuarin, vihet në pranga 36-vjeçari në Vaun e Dejës

Një 36-vjeçar nga Vau i Dejës është arrestuar, pasi ka kanosur me thikë pak ditë më parë një 65-vjeçar me të cilin ishte konfliktuar për motive të dobëta. Uniformat blu kanë njoftuar se ngjarja ka ndodhur në 20 maj të këtij viti, në fshatin “Fshat i Ri”, Vau i Dejës, Shkodër. Pasi ka marrë dijeni për kanosjen uniformat blu, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje nga ku kanë vënë në pranga 36-vjeçarin me iniciale A. M. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës me të cilin dyshohet se u krye kanosja.

Nuk deklaroi 12 mijë franga zvicerane në Rinas, vihet nën hetim 30 vjeçari malazez

Një 30 vjeçar malazez është vënë nën hetim nga policia, pasi u kap dje në aeroportin e Rinasit në tentativë për të kaluar me 12.480 franga zviceriane dhe 900 euro të padeklaruara. I riu i identifikuar si A.T, i cili po dilte nga territori i Shqipërisë, kishte fshehur në trup dhe në çantën e dorës shumën e parave të padeklaruara të cilat iu zbuluan në vijën e dytë të kontrollit. Shuma e parave të padeklaruara u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe ndaj 30 vjeçarit me banim në Zvicër nisi procedimi penal.

spot_img

Te fundit

112,000FansaPëlqeje
189,000NdjekësitNdjek
18,000NdjekësitNdjek
66,000AbonentëAbonohu
spot_img

Related articles