Një tjetër mesazh i publikuar në rrjetet sociale nga Neda Balluku duket se rikthen në vëmendje vështirësitë e saj për të takuar fëmijët pas ndarjes nga Ogren Balluku. Këtë herë, ajo ka zgjedhur të ndajë një rrëfim në vetën e tretë, duke përshkruar përpjekjet e një nëne për të takuar të birin, pasi mëson se ai është sëmurë.
Pa përmendur emra dhe pa e identifikuar drejtpërdrejt historinë si një përvojë personale, Neda e nis shkrimin me fjalinë: “Një nënë sot, i ra një dere për shtatëmbëdhjetë minuta për të parë të voglin e saj”.
Në vijim, ajo përshkruan përpjekjet e përsëritura të nënës për të takuar fëmijën. Fillimisht, ajo shkon herët në mëngjes, por i thuhet se i vogli po fle. Rikthehet në mesditë dhe më pas në mbrëmje, kur mëson se fëmija nuk ndodhet aty.
Përpjekja e fundit zgjat plot 17 minuta, gjatë të cilave nëna vazhdon të trokasë në derë dhe të thërrasë të birin, me shpresën se ai do ta dëgjojë.
“Dhe i ra derës për shtatëmbëdhjetë minuta pa ndalur. Por të voglin s’e pa dot”, shkruan ajo.
Në fund të rrëfimit, Neda përshkruan edhe momentin kur një tjetër fëmijë i hap derën nënës, duke e mbyllur me një fjali që mbart një mesazh të fortë emocional: “Duke e refuzuar në sy si burrë. Por duke i hapur derën si fëmijë”.
Publikimi vjen pas disa deklaratave publike të Nedës lidhur me marrëdhënien me fëmijët pas ndarjes nga Ogren Balluku, me të cilin ka tre fëmijë.
Në nëntor të vitit 2025, gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”, ajo konfirmoi se kishte kërkuar divorcin, duke treguar se marrëdhënia mes tyre kishte qenë e vështirë prej vitesh. Në atë kohë, Neda theksoi dëshirën për ta menaxhuar situatën me privatësi, duke pasur në vëmendje mirëqenien e fëmijëve.
Ndërkohë, në janar të vitit 2026, mosmarrëveshjet mes ish-partnerëve u bënë pjesë e një procesi gjyqësor. Sipas raportimeve të kohës, Gjykata e Tiranës lëshoi një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Nedës, ndërsa rrëzoi një kërkesë të mëvonshme të Ogren Ballukut për të njëjtën masë. Gjatë procesit, të dyja palët paraqitën pretendimet e tyre, ndërsa Neda deklaroi se ishte penguar të takonte djemtë e saj.
