Thursday, April 18, 2024

|

spot_img

Kur “specializantët” e mllefit dhe inferioritetit “kritikojnë”

po lexohet

Nga Manjola Ceka

Kur vjen puna tek diskutimet rreth rrjeteve sociale dhe liria “e tepërt” që ato i servirin njerëzimit, jam ajo që historikisht është etiketuar si “komunistja”.

Më kujtohet sa herë Umberto Eco kur në 2015 “shokoi e indinjoi” botën demokratike dhe liberare kur gjatë një fjalimi të tij u shpreh për rrjetet sociale si në vijim: 

“Media sociale u jep të drejtën e fjalës një tufe idiotësh, që më parë flisnin vetëm nëpër bare pas një gote vere, e më pas heshtnin pa e dëmtuar komunitetin. Ndërsa sot, kanë të njejtën të drejtë fjale si të një Nobelisti. Ky është pushtimi i idiotëve.”

Sigurisht që, ashtu si e shoh unë me këto 2 kokrra gruri mend që kam, këto indinjata zakonisht vijnë; 1. nga ata udhëheqës që me të drejtë nuk kanë asnjë leverdi prej skepticizmit e zhvillimit të mendimit kritik dhe 2. nga ata idiotë që ju kërcënohet e drejta për të nxjerrë jashtë të gjitha mllefet e tyre të grumbulluara nga ndjenja e inferioritetit.

Për të parët nuk dua të flas më tepër sepse nuk dua të dhunoj parimet e demokracisë që ata aspirojnë e lobojnë kaq shumë në fjalimet tyre lart e poshtë, jashtë e brenda parlamentit … majtas e djathtas.

Sot në fakt mu bënë muzë këta të dytët dhe doja menjëherë tu dedikohesha atyre.

Ju ndodh të gjithëve të futeni në profilin e ndonjë personazhi publik në Shqipëri dhe të dëshmoni se si një postim i thjeshtë bombardohet me paragjykime, sharje që rreshton fisin për 7 palë breza e thirrje për varje në litar të disa ku**ave zamani.

Askush nuk është i detyruar ta pëlqejë dikë tjetër apo të lahen e lyhen kundrejt të tjerëve, të kuptohemi drejtë. Por nuk është normale të komentohet  “Ja kjo ku*va që ndërroi burrat për lekë” në foton e një aktoreje vetëm sepse ti e njeh pikërisht prej punës si aktore. 

Kur një aktore nuk të pëlqen sepse në përceptimin tënd nuk mendon se “plotëson” pritshmëritë apo emocionet e tua si publik, atëherë zgjedh të mos e shikosh në kinema e të mos e duartrokasësh në teatër. Kaq. 

Se si e bën jetën e saj, se si ndërroi burrat apo a i vesh më në krevat me burrin e dytë, brekët që burri i parë ja hiqte me dhëmbë, nuk duhet ti interesojë askujt e aq më pak ta komentojë.

Është për ti vënë duart kokës kur lexon komente të tjera në foton e një vajze duke i shkruar se sa e shëmtuar është, se qënka shëndoshur si lopë, se kush burrë e merr atë zorrë apo ti shkruash një djali se ç’ku*vë e paska pasur të ëmën apo motrën, se si partnerja nuk e meritonka etj etj …

Ç’qenka kjo nevojë e errët shpirtërore për të nxirë, për të damkosur e për të pështyrë shpirtin e një tjetri?

Nuk e di se sa mund të jetë perceptuar dëmi kolateral që vemje të kësaj shoqërie dhe e drejta e fjalës së lirë i ka sjellë mendimit kritik dhe interpretimit që shtrohet shëndetshëm.
Për faj se të gjithëve u ka ardhur në majë të hundës që të gjithë kanë dicka për të thënë, sot është kaq e thjeshtë të ofendohesh.

Sot duhet të kesh kujdes të mos thuash që të lemë pakëz mënjanë protestat për LGBT-në e të dalim të ngrihemi kundër kulturës së shtypjes e përdhunimit sepse ofendohet komuniteti LGBT apo mbështetësit e tyre duke të të etiketuar si homofobik, paçka se miku jot më i mirë mund ti përkasë atij komuniteti.

Sot duhet të kesh kujdes kur thua se një grua apo një vajzë duhet të flasë e të sillet siç një vajze i ka hije sepse ofendohen “feministet” që lobojnë për barazi gjinore, por janë përsëri aty për të sharë e ofenduar një vajzë tjetër që thjesht kishte një perceptim të sajin për sjelljen e një gruaje.

Sot duhet të kesh kujdes që gjithçka thua të jetë brenda asaj që quajmë “politikisht korrekt”.

Praktikisht, sot të gjithë ofendohen nga ekzistenca jote dhe janë të gatshëm të të kryqëzojnë nëse ti je skeptike, nëse mendon ndryshe e me keq akoma nëse e thua me zë të lartë.

Është kaq e madhe kjo hapësira që u është dhënë idiotëve të shprehen lirshëm saqë nuk arrihet të bëhët më, askush nuk pranon më, të ndajë kritikën e shëndetshme nga komentet e mllefit e inferioritetit.

*** Shkruar nga themeluesja e blogut ESMOS. Për shkrime të tjera vizitoni blogun këtu

të fundit

Arrestohet Soni Malaj dhe dy këngëtarë të tjerë, u ndaluan nga policia teksa po performonin në skenë

Këngëtarët shqiptarë Soni Malaj, Don Phenom dhe Sinan Vllasaliu janë arrestuar nga policia zvicerane. https://youtu.be/d25k816hXlk Sipas raportimeve të mediave, artistët do...

të ngjashëm