Një finale spektakolare në rozë, tingujt e “E duam lumturinë” dhe prania e Fern Mallis shndërruan prezantimin e “REMEMBER AW27” në një homazh emocionues për ikonën shqiptare Parashqevi Simaku.
Sfilata e Poet-Lab të Giuseppe Iacofanos, produksion i Global Fashion Collective, u ndërtua rreth konceptit “Remember”, një udhëtim mes kujtesës, historive dhe figurave që mbeten. Ishte Elton Ilirjani ai që i tregoi Iacofanos historinë e Parashqevi Simakut dhe dashurinë e veçantë që ajo vazhdon të ketë në Shqipëri dhe Kosovë. Lidhja me Shqipërinë ishte krijuar edhe më herët, gjatë vizitës së Iacofanos në vend, ku ai realizoi së bashku me Eltonin disa photoshoots në lokacione ikonike shqiptare.
Shfaqja nisi me dy fjali nga një intervistë e Parashqevi Simakut në vitet ’90, ndërsa një fotografi e saj duke kënduar në vitet ’80 ishte pjesë e moodboard-it të koleksionit.
Momenti kulmor erdhi në finale: Elton Ilirjani doli në runway me një fustan rozë, me siluetë engjëllore, ndërsa në sfond u dëgjua një fragment nga “E duam lumturinë”, kënga me të cilën Parashqevi Simaku fitoi Festivalin e Këngës. Një skenë e konceptuar si një rikthim simbolik te një prej imazheve më të paharrueshme të këngëtares shqiptare.
Dhe në sallë ndodhej një prej emrave më të rëndësishëm të historisë së modës amerikane: Fern Mallis, themeluesja e New York Fashion Week, e cila ndoqi shfaqjen së bashku me një drejtues të CFDA. Prania e saj i dha prezantimit një dimension të veçantë ndërkombëtar.
Nga Shqipëria e Parashqevi Simakut te New York-u i modës botërore, “REMEMBER AW27” e ktheu kujtesën shqiptare në një moment të gjallë në një prej skenave më të rëndësishme të fashion-it.
Fotografitë: Getty Images / Arun Nevader
Poet-Lab: Giuseppe Iacofano









