Një telefonatë nga një banor ka njoftuar në kohë shërbimin zjarrfikës në Vlorë për zjarrin e rënë në hotelin në Lungomare.
Kështu deklaroi kreu i shërbimit zjarrfikës Luan kapaj në një deklaratë për mediat. Sipas tij kur kanë mbërritur forcat e zjarrfikëses i gjithë kati i parë i hotelit në Vlorë ishte i përfshirë nga flakët.
“Mbrëmë kemi pasur një situatë disi të veçantë sepse ka qenë një zjarr në përmasa të mëdha në katin e parë të bar-restorantit dhe desh u përhap në katin e dytë ku ishte hoteli. Fillimisht në zyrën e informacionit të shërbimit zjarrfikës ka ardhur një telefonatë, dikush ka kaluar, ka parë një si djegie dhe flakë të vogël dhe tha: po digjet një kolltuk. Ekipi zjarrfikës u nis në vendngjarje dhe ka parë komplet kati i parë ka qenë në flakë”, thekson Kapaj.
Shefi i shërbimit zjarrfikës thotë se ekipet e zjarrfikëses ndërhynë menjëherë për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.
“U desh të bëhej ndërhyrja në dy drejtime, të izolohej kati i parë që mos të kalonte zjarri drejt hotelit dhe të bëhej i mundur evakuimi i gjithë banorëve rezidentë në hotel. U punua me forcat që kishim në dispozicion dhe me ndihmë nga forca të tjera. Ekipi zjarrfikës dha maksimumin që personat që ishin në katin e dytë të nxirreshin pa problem, se ata tentuan të hidhen vetë nga hoteli. Situata ishte e vështirë se lokali ishte përfshirë komplet nga flakët dhe temperaturat bënin të vetën dhe Për banorët ishte e pamundur të dilnin nga shkallët dhe u detyruan të hidheshin nga ballkoni”, deklaroi Kapaj.
