Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” ka ardhur në jetë fëmija i 11-të i një çifti. Pas tetë vajzave dhe dy djemve, çifti Fatmira dhe Ervin kanë sjellë në jetën fëmijën e 11-të, një djalë që e kanë quajtur Zeid.
Në videon e përcjellë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Fatmira shprehet se të gjithë fëmijët i ka lindur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” ku ka marrë të gjithë kujdesin e nevojshëm. Ajo thekson se “ndihet e lumtur, e bekuar që ka një familje të madhe”.
“Jam e lumtur dhe e kënaqur që kam një familje të madhe. Të gjithë më pyesin si është jeta me shumë fëmijë, unë jam e lumtur sepse e kam shtëpinë plot”, tha ajo.
Nënat dhe bebet e sapolindura në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” trajtohen në kushte më të mira dhe hapësira më moderne, pas rikonstruksionit të plotë të këtij materniteti.
Materniteti është transformuar në infrastrukturë, logjistikë dhe shërbime, ku rreth 20 mijë paciente në vit do të kenë një maternitet të standardeve europiane, me kushte dhe teknologji të fjalës së fundit.
