Gazetari dhe opinionisti Olti Curri ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me videot intime që kanë nisur të qarkullojnë online gjatë 24 orëve të fundit.
Në reagimin e tij, Olti i ka cilësuar si viktima gratë që, sipas tij, nuk kanë qenë në dijeni se po filmoheshin dhe materialet intime të të cilave tashmë janë bërë të qasshme për publikun.
Ai ka theksuar se personat e përfshirë duhet të denoncojnë autorin e regjistrimeve, ndërsa ka kërkuar që ata të kërkojnë edhe dëmshpërblim material, duke argumentuar se publikimi i materialeve mund të ndikojë seriozisht në karrierën e tyre.
Olti ka bërë thirrje edhe për mbështetje profesionale, duke nënvizuar nevojën për ndihmë nga psikologët dhe psikiatrit në një situatë të tillë.
Në një pjesë të reagimit, ai ka bërë një pretendim të ndjeshëm, duke thënë se, sipas informacioneve që pretendon se i ka marrë nga miq të përbashkët, dy prej personave të përfshirë kanë tentuar vetëvrasjen dhe se familjarë e miq po qëndrojnë pranë tyre.
Në fund të reagimit, Olti ka bërë thirrje që videot të mos shpërndahen më tej, duke theksuar se intimiteti i një personi nuk duhet të kthehet në spektakël publik.
“Opinioni publik duhet të sensibilizohet dhe videot të mos përhapen sepse intimiteti i njerëzve nuk është spektakël dhe shpërndarja e videove rëndon situatën”, ka shkruar Curri. /Prive By Liberta Spahiu
