Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar një fluks rekord udhëtarësh gjatë vitit 2026. Në tetë muajt e parë, përmes Rinasit kanë kaluar 9.26 milionë pasagjerë, rreth 18% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, vizitoi aeroportin së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe drejtues të tjerë, për të parë nga afër menaxhimin e fluksit dhe punën e strukturave kufitare.
Sipas shifrave të bëra publike, vetëm gjatë muajit gusht në Rinas u regjistruan 1.74 milionë pasagjerë, me një rritje prej 22.3% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, mbi 3 milionë udhëtarë kanë përdorur sistemin e automatizuar të kontrollit e-Gate.
Edhe shtatori ka nisur me ritëm të lartë. Brenda vetëm 24 orëve janë kryer 296 fluturime dhe kanë kaluar 51,674 pasagjerë.
Demo vlerësoi punën e Policisë Kufitare për përballimin e fluksit të jashtëzakonshëm, duke theksuar se këto shifra pasqyrojnë rritjen e interesit turistik për Shqipërinë.
Sipas tij, numri i lartë i udhëtarëve përbën njëkohësisht një test të përditshëm për strukturat në kufi, të cilat duhet të garantojnë më shumë siguri dhe një shërbim sa më të shpejtë e efikas për çdo pasagjer.
Një rol të rëndësishëm në përballimin e këtij fluksi rekord ka luajtur edhe menaxhimi efikas i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), përmes organizimit të operacioneve dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve për udhëtarët.
