Udhëtarët që hyjnë në Shqipëri mund të sjellin me vete mallra për përdorim personal ose dhurata pa paguar detyrime doganore, por vetëm brenda kufijve të përcaktuar nga Dogana Shqiptare.
Për udhëtarët që hyjnë në vend përmes rrugëve tokësore, kufiri i pataksueshëm është 300 euro për person, ndërsa për ata që mbërrijnë me avion ose rrugë detare kufiri shkon në 430 euro.
Për fëmijët nën 15 vjeç, vlera e mallrave që mund të futen pa detyrime doganore është deri në 150 euro. Mallrat duhet të jenë për përdorim vetjak ose dhurata dhe, për nga lloji e sasia, të mos kenë karakter tregtar.
Kufijtë për duhanin dhe alkoolin
Rregulla të veçanta zbatohen për produktet e akcizës. Udhëtarët mund të sjellin:
200 cigare
100 cigarillo
50 puro
250 gramë duhan
Për pijet alkoolike lejohen:
1 litër pije me përmbajtje alkooli mbi 22%
2 litra pije me përmbajtje alkooli deri në 22%
2 litra verë pa gaz
10 litra birrë
Ndërkohë, në bagazhin personal mund të transportohen deri në 3 kilogramë kafe.
Udhëtarët nën 17 vjeç nuk përfitojnë përjashtim për produktet e duhanit dhe alkoolit.
Në rast se vlera ose sasia e mallrave tejkalon kufijtë e përcaktuar, ato duhet të deklarohen pranë autoriteteve doganore. Për mallrat që nuk kanë karakter tregtar zbatohet procedura e deklarimit të thjeshtuar.
Dogana mund të kërkojë kontrollin e bagazhit dhe të mallrave që udhëtari transporton me vete. Për të shmangur vonesat dhe penalizimet, qytetarët këshillohen të informohen përpara udhëtimit dhe të deklarojnë mallrat kur kjo është e nevojshme.
