Ndryshime të rëndësishme pritet të ketë në sezonin e ri të “Për’puthen”. Pas largimit të Megi Pojanit nga drejtimi i programit, emri që po përflitet për ta zëvendësuar në moderim është Heidi Baci, ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 3”.
Sipas raportimeve të fundit, Heidi Baci pritet të marrë drejtimin e formatit të dashurisë në Top Channel, duke shënuar kështu një tjetër hap në karrierën e saj televizive pas përfundimit të eksperiencës në “Big Brother VIP”. Gjatë kësaj periudhe, Heidi ka vijuar angazhimet në ekranin e Top Channel.
Ajo ishte një prej dy emrave që qarkulluan ditët e fundit si kandidate për të pasuar Megi Pojanin. Në diskutim ishte edhe Selin Bollati, fituesja e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”, por informacionet e fundit e vendosin Heidi Bacin si zgjedhjen e mundshme për moderimin.
Megjithatë, ndryshimet në “Për’puthen” duket se nuk do të ndalen vetëm te moderatorja.
Krah Heidi Bacit pritet të jetë edhe Ronaldo Sharka, ndonëse ende nuk është bërë e ditur se çfarë roli do të ketë ai në strukturën e re të programit.
Një tjetër rikthim i mundshëm është ai i Erjola Doçit, e cila këtë herë pritet t’i bashkohet formatit në rolin e opinionistes. Të tre janë emra të njohur për publikun e Top Channel dhe kanë pasur më parë angazhime të ndryshme në televizion.
Nëse informacionet konfirmohen, sezoni i ri i “Për’puthen” do të vijë me një riformatim të dukshëm të ekipit, pas largimit të Megi Pojanit nga moderimi.
Për momentin, megjithatë, Top Channel nuk e ka prezantuar zyrtarisht ekipin e ri të programit. Për këtë arsye, Heidi Baci, Ronaldo Sharka dhe Erjola Doçi mbeten emrat që pritet t’i bashkohen sezonit të ri, në pritje të konfirmimit zyrtar nga televizioni.
