Acromax Media ka prezantuar versionin e ri të Akilës, një gazetare me inteligjencë artificiale e krijuar për të zhvilluar biseda të drejtpërdrejta me qytetarët dhe për të kuptuar më thellë shqetësimet, problemet dhe sfidat që ata përjetojnë në jetën e përditshme.
Përmes WhatsApp-it, qytetarët mund të komunikojnë me Akilën në kohë reale, në një bisedë private dhe individuale. Qëllimi i saj nuk është vetëm të mbledhë opinione, por të kuptojë edhe arsyet që qëndrojnë pas tyre, duke analizuar faktorët që ndikojnë në përvojat dhe shqetësimet e njerëzve.
Nisma synon të zhvillojë deri në 1 milion biseda me shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, me synimin për të krijuar një pasqyrë më të qartë të çështjeve që prekin shoqërinë shqiptare. Të dhënat e mbledhura do të analizohen dhe do të përpunohen në raporte të anonimizuara, të cilat do të jenë të aksesueshme për median, studiuesit, institucionet dhe publikun.
Një mënyrë e re për të dëgjuar qytetarët
“Shpesh dëgjojmë për simptomat, por jo për shkaqet. Qëllimi ynë është të kuptojmë se çfarë po ndodh realisht në jetën e qytetarëve dhe cilat janë arsyet që qëndrojnë pas shqetësimeve, pritshmërive apo vështirësive të tyre”, shprehet Aldor Nini, krijuesi i Akilës.
Sipas tij, projekti nuk synon të ndikojë në opinionet e qytetarëve, por të krijojë një mënyrë të re për të dëgjuar dhe dokumentuar përvojat e tyre.
Si funksionon Akila
Procesi është i thjeshtë: qytetari i shkruan Akilës në WhatsApp dhe nis një bisedë private. Komunikimi mund të bëhet në gjuhën shqipe ose në shumë gjuhë të tjera.
Pjesëmarrja mund të jetë me identitet të deklaruar ose anonime, sipas zgjedhjes së secilit qytetar. Përmes këtyre bisedave, Akila synon të identifikojë temat më të shpeshta.
