Avokati Idajet Beqiri ka hedhur dritë mbi të tjera detaje nga gjyqi i klientit të tij Izet Haxhia. Në kuadër të një sërë rrëfishme sh mbi këtë proces, ai këtë herë ka dhënë detaje mbi atë se çfarë ndodhi ditën e vrasjes së Azem Hajdarit, kjo në bazë të deklarimeve të klientit të tij. Beqiri ka treguar intrigat në PD, dëshmitarët që ishin prezentë dhe takimin që ndodhi mes Berishës e Hajdarit para ngjarjes. Po ashtu ai ka treguar se dhe si u përfshi klienti i tij në këtë ngjarje.
(Vijon nga shkrimi i kaluar)
…Në një moment kur ishin duke pritur personat e tjerë te kafe “Aroma”, Halil Haklaj është shkëputur për pak çaste duke dalë nga kafja dhe duke e lënë vetëm Izet Haxhinë aty. Pastaj është kthyer. Meqenëse Jaho Mulosmani dhe Fatmir Haklaj po vonoheshin, Izet Haxhia i ka thënë Halil Haklajt se po largohej, pasi ishte vonuar shumë dhe do të ishin bërë shumë merak njerëzit e shtëpisë së tij. Janë ngritur dhe kanë dalë nga kafe “Aroma”. Sapo kishin kapërcyer pragun e derës së kafe “Aroma”, e cila ndodhej pranë “Ushtarit të Panjohur”, kanë dëgjuar të shtëna me automatikë dhe me pistoletë. Dukej si një përplasje grupesh me armë. Në këtë moment Halil Haklaj është alarmuar shumë dhe ka bërtitur “obobo djemtë”! Izet Haxhia nuk po kuptonte asgjë çfarë po ndodhte, veç konstatoi se të shtënat e armëve që u dëgjuan, nuk ishin më larg se 200 metra nga kafja ku ndodhej ai me Halil Haklaj. Halil Haklaj jepte dhe merrte me radion dhe mundohej të ndërlidhej me Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin. Në këtë moment Izeti ka dëgjuar zërin e Fatmir Haklajt në radio, i cili i tha Halilit “më ndiq te shtëpia e Nehat Kullës”. Të hutuar nga breshëritë e armëve të dëgjuara, si dhe nga sa tha Fatmir Haklaj në radio, Izet Haxhia ka shkuar pas Halil Haklajt dhe shoferit Agim Logu, të cilët kanë hipur në fugonin e policisë dhe janë nisur në drejtim të shtëpisë së Nehat Kullës. Fugoni i policisë Tropojë ku ishin Halil Haklaj dhe Izet Haxhia mori drejtimin e nëntë katësheve dhe u kthyen djathtas te Rruga e Dibrës. Pa shkuar te “Selvia”, në radio Izeti ka dëgjuar që Fatmir Haklaj po i fliste Halil Haklaj për një të plagosur. Pak para se të mbërrinin te Spitali “Nënë Tereza”, u shfaq një Benz me Fenelinë. Në këtë makinë Benz ndodheshin Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani dhe Naim Çangu. Fugoni i policisë e ndiqte atë nga pas. Morën rrugën e Tufinës. Aty, para shtëpisë së Nehat Kullës, Benzi ndali. Benzi ishte me targa të Vlorës. Zbriti Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani. Në sedijen e pasme të Benz-it ndodhej Naim Çangu i plagosur. Ata e nxorën prej aty Naim Çangun dhe e futën në fugonin e policisë, duke e urdhëruar shoferin Agim Logu ta çonin me shpejtësi në Spitalin “Nënë Tereza”. Izet Haxhia qëndronte si i ngrirë në fugonin e policisë, së bashku me Agim Logun, pa kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Në momentin që Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani futën në fugon Naim Çangun, Izet Haxhia ka parë që Fatmiri mori nga Benzi një radio, një kallashnikov, targat e makinës dhe sende të tjera, të cilat ia dha Halil Haklajt duke i thënë: “Zhduki të gjitha këto”! Janë nisur të gjithë për në Spital. Izet Haxhia ka pyetur Halil Haklajn se çfarë ka ndodhur! Por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Pse nuk i fshin fotot me Ilirin”, Gilberta flet hapur pas ndarjes (FOTO)
Si u informua Izet Haxhia
Në momentin që Izet Haxhia ndaloi te bilardo, afër shtëpisë së tij, ka dalë bashkëshortja dhe i ka thënë: “Sapo u dha në lajme se kanë vrarë Azem Hajdarin”! Izeti është shokuar. Në radhë të parë për këtë akt të rëndë kundër një personi që ai e vlerësonte shumë në PD dhe që kurrë nuk mund të vritej; Në radhë të dytë, sepse ai, pasi përjetoi gjithçka theksuam për dy ditë, krijoi bindjen se këtë vrasje e kishin bërë personat me të cilët ai kishte ndenjur, duke e konsideruar veten të keqpërdorur. Mbasi është futur në shtëpi telefoni fiks i binte pa pushim. E mori në telefon vëllai i tij Ismet Haxhia dhe e pyeti çfarë po bënte. Izeti i ka thënë që të shkonte me makinën e tij dhe ta merrte për ta çuar në Selinë e PD-së. Ismeti i ka thënë se situata jashtë rrugëve të Tiranës, është shumë alarmante dhe shpërthyese, ndaj mos lëviz nga shtëpia natën! Të nesërmen në mëngjes, në datën 13 shtator 1998, Izet Haxhia ka shkuar në Selinë e PD-së. Është takuar thuajse me të gjithë personat që kishin qenë një ditë më parë aty te Selia e PD-së dhe pranë vendit të ngjarjes. Mes këtyre personave, ka folur gjatë me Sali Lushën, i cili kishte qenë pranë vendit të ngjarjes. Sali Lusha dhe të gjithë personat e tjerë që kishin dijeni, apo që kishin qenë në vendin e ngjarjes apo pranë tij, ishin thirrur prej Sali Berishës. Për rrjedhojë, thuajse të gjitha deklarimet e tyre, duheshin marrë me rezerva të mëdha, sikundër duheshin analizuar dhe ballafaquar me kujdes, pasi “alibia” e Berishës ishte përgatitur me kujdesin maksimal, me qëllim që prej të vërtetës së hidhur të kësaj ngjarje, ai të përjashtohej si bashkëpunëtor, të përfitonte në maksimum personalisht për pushtetin e tij prej saj, duke përzierë në vrasje strukturat më të rëndësishme të shtetit dhe drejtuesit e tyre, por edhe që të përziheshin qëllimshëm “të thatët dhe të njomët” e kësaj ngjarje, duke realizuar ai hakmarrjen primitive ndaj të dyshuarve “për besnikëri” ndaj tij!
Lëvizjet e Berishës
Dëshmia e Zenel Nezës degjeneroi në Spitalin e Traumës, pas ndërhyrjes së dhunshme, e pasqyruar edhe në kamera televizive. Këtë dëshmitar okular, që mbeti i plagosur në vendngjarje, Sali Berisha, pasi i mësoi “vjershën” për të recituar, nuk e la asnjë sekondë në duart e oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorëve për të dëshmuar të vërtetën e ngjarjes. Deklarimet e Zenel Nezës në Belgjikë, të marra jo në rrugë ligjore, por të përdorura në gjykimin e parë të vitit 1999 dhe në këtë rigjykim të këtij viti, janë jo vetëm të pavërteta dhe qesharake, por të marra në kompleks me shumë prova dhe fakte të vërtetuara plotësisht si të vërteta gjatë hetimit dhe gjykimit të çështjes, e bëjnë atë përgjegjës penalisht para ligjit për veprat penale të fshehjes së gjurmëve të krimit, përkrahjes pas kryerjes së krimit si dhe për deklarime të rreme.
E njëjta situatë ndodhi edhe me Sali Lushën, i cili ishte më pranë vendit të ngjarjes, por që fill pas saj u thirr në zyrën e Sali Berishës dhe më pas, kudo që dëshmoi, edhe në deklarimet e fundit të muajit korrik 2021, nuk lëvizi nga “istikami” i absurditetit, në një linjë me Zenel Nezën, duke i pozicionuar vrasësit e Azem Hajdarit si të pozicionuar brenda në makinë, pa dalë askush jashtë saj, duke qëlluar, sipas tij, të gjithë nga brenda xhamave të makinës, duke mos e dalluar vrasësin e vërtetë! Izet Haxhia, në këtë takim të 13 shtatorit 1998, përmes pyetje përgjigjeve dhe debateve, por edhe marrjes në pyetje të disave prej tyre, evidentoi edhe pjesën më të errët dhe të pazbardhur nga prokuroria dhe gjykata të së vërtetës së ngjarjes. Kështu, përmes Sali Lushës ai mësoi se Azem Hajdari, para se të dilte nga Selia e PD-së dhe të shkonte në vendin e krimit, ishte thirrur në zyrën e Sali Berishës. Po sipas Sali Lushës, një person me emrin Mentor Daja, para se Azem Hajdari të dilte nga zyra e tij, e ka marrë në telefon. Izet Haxhia e njihte mirë Mentor Dajën dhe ka shkuar dhe e ka takuar, duke e marrë në pyetje. Mentor Daja i ka pohuar se ishte vënë në dijeni nga mbesa e Sali Berishës, e quajtura Shpresa Breçani, se kishte më shumë se një orë që rrinte pranë Selisë së PD-së një makinë e dyshimtë me targa të Vlorës dhe me njerëz të armatosur brenda. Unë, ka vazhduar rrëfimin e tij Mentor Daja para Izet Haxhisë, e kam marrë në telefonin e zyrës Azem Hajdarin. Në vend të Azemit më është përgjigjur Fisnik Sina. Në këtë kohë Fisnik Sina shërbente si këshilltar i Azem Hajdarit. Fisnik Sina i ka thënë Mentor Dajës se Azem Hajdarin e thirri Linda Ihsani sepse e kërkoi në zyrë Sali Berisha dhe është atje.
Mentor Daja i përcjell Fisnik Sinës gjithçka që kishte mësuar nga Shpresa Breçani si dhe fjalët e saj për të njoftuar Azem Hajdarin. Fisnik Sina ka dalë nga zyra e Azemit dhe ka shkuar në katin e dytë te zyra e Berishës. Në zyrën e Berishës ishte Azemi dhe Linda. Fisniku kishte përcjellë aty telefonatën me bisedën e plotë të zhvilluar me Mentor Dajën. Izet Haxhia ka sqaruar se Mentor Daja kishte punuar si punonjës i SHIK të Bashkim Gazidedes dhe marrëdhëniet me Sali Berishën i kishte shumë të mira. Pasi ka pyetur me hollësi Mentor Dajën, Izet Haxhia ka shkuar dhe ka biseduar me Fisnik Sinën. Ky i fundit, pasi ka konfirmuar gjithçka që kishte biseduar në telefon me Mentor Dajën, i ka thënë se Sali Berisha, mbasi më kanë dëgjuar mua rreth bisedës së zhvilluar me Mentor Dajën, i ka thënë Azemit të dilte të shikonte, ta zgjidhte këtë problem dhe të merrej vesh me ata që ndodheshin në “makinën misterioze”!
Lëvizjet e Azem Hajdarit
Azemi është ngritur menjëherë dhe ka shkuar në zyrën e tij. Ka hapur sirtarin e tavolinës dhe ka marrë pistoletën “Zastava”. I ka montuar kësaj pistolete silensiatorin dhe ka dalë në korridor. Aty ishte zyra e Azemit, pranë saj ndodhej edhe zyra e Genc Pollos. Genc Pollo ishte së bashku me Sali Lushën. Genci po i kërkonte ndihmë Sali Lushës për të gjetur një autoveture BMË, të cilën ato ditë ia kishin grabitur një miku të tij. Azem Hajdari në korridor i thotë Sali Lushës të merrte kallashnikovin dhe të dilte para PD-së, pasi aty ndodhej një makinë e dyshimtë me targa të Vlorës. Izet Haxhia ka mësuar gjithashtu prej Sali Lushës se Azem Hajdari në këtë moment ka bërë edhe telefonatën e fundit. Në telefonin celular që mbante Azemi kishte të regjistruar emrin “JOVANOVIÇ”. Në fakt ky person quhet Ismet Jovani (Ramadani), me origjinë nga Shkodra, por që banonte në Fier. Ismet Jovani kishte miqësi të ngushtë me Nehat Kullën dhe rrinte shumë kohë pranë tij. Me Nehat Kullën kishin miqësi edhe Halil Haklaj dhe vëllezërit e tij, të cilët kur vinin në Tiranë, i pari që e dinte ishte Nehat Kulla. Me sa duket, përmes telefonatës që i bëri Ismet Jovanit, Azem Hajdari donte të merrte vesh përmes Nehat Kullës nëse kishin ardhur miqtë e tij, Haklajt nga Tropoja. Izet Haxhia pohon se Sali Lushaj ia ka pohuar këtë bisedë të Azemit pikërisht në datën 13 shtator 1998, duke i thënë se ka dëgjuar që Azemi i thoshte Jovanit: “A kanë ardhur ata miqtë e tu nga Tropoja te miku yt…”?!
Procesi në gjykatë
Përmes gjithçkaje që është biseduar, që është parë, që është dëgjuar gjatë një ditë para ngjarjes, ditën e ngjarjes dhe një ditë pas ngjarjes, përmes evidentimit të të gjithë personave që dinë diçka për ngjarjen, ia paraqitëm Gjykatës së Rigjykimit të gjitha provat kryesore direkte dhe indirekte, të cilat nuk e lënë të errët, të mbushur me mister dhe me të pavërteta, vrasjen e Azem Hajdarit. Gjykata nuk pranoi asnjë prej provave që evidentuam. Ajo bëri të gjitha përpjekjet, madje edhe duke shkelur rëndë ligjin procedurial penal shqiptar, ndërkombëtar, nenin 6 të KEDNJ për një proces të rregullt ligjor si dhe Vendimin e Gjykatës së Strasburgut Izet Haxhia kundër Shqipërisë, që edhe pas 20 vjetësh, ta mbulojë zbardhjen e vrasjes së shekullit! Për ironi të fatit nuk u ripyet Jaho Mulosmani, i cili nuk ka dhënë shpjegime rreth ngjarjes, megjithëse është i dënuar me burgim të përjetshëm si bashkëpunëtorë në vrasje. Jaho Mulosmani u kishte deklaruar prokurorëve dhe gjyqtarëve se do të jepte shpjegime të hollësishme rreth ngjarjes kur të pyetej si dëshmitar Sali Berisha. Në rigjykimin e çështjes së Izet Haxhisë, pas 20 vjetëve, ai dha pëlqimin e tij të jepte shpjegime si dëshmitar i thirrur prej mbrojtësit ligjor të Izet Haxhisë. Gjykata me vendim të ndërmjetëm e hodhi poshtë kërkesën dhe iu tremb dëshmisë së Jaho Mulosmanit, duke mos e lejuar thirrjen e tij si dëshmitar. Gjykata nuk pranoi të thërriste si dëshmitar as Ajshe Haklajn, e cila është dëshmitarja e vetme, e cila e ka mësuar të gjithë të vërtetën e ngjarjes prej protagonistit kryesor, vëllait të saj Fatmir Haklaj. Dëshmia e saj, në kushtet kur Fatmir Haklaj nuk jeton më, është e barazvlefshme për dëgjim, për trajtim dhe për analizim, sikur të bëhej prej vetë Fatmir Haklajt. Muharrem Haklaj, dëshmitari okular i takimit me Azem Hajdarin, i bisedës së bërë me të, ku dalin qartë të gjitha rrethanat, provat, faktet dhe e vërteta se përse përjashtohet kategorikisht paramendimi dhe dashja për vrasjen e Azem Hajdarit, përsëri nuk u pyet prej Gjykatës së Lazër Sallakut, me gjithë këmbënguljen dhe bojkotimin e procesit nga Izet Haxhia dhe mbrojtësi i tij ligjor… Askush nga të interesuarit për zbardhjen e të vërtetës së vrasjes së Shkëlqim Haklajt, nuk e mohojnë që ishin në kërkim të hakmarrjes ndaj urdhëruesit të vrasjes së tij. Ata të gjithë pohojnë me bindje të plotë se Azem Hajdari u përjashtua nga të pasurit dorë urdhëruese ose ekzekutuese në vrasjen e Shkëlqim Haklajt. Këtë përjashtim e bëri Muharrem Haklaj, fjala e të cilit ishte ligj për të gjithë fëmijët e tij. Ata nuk e mohojnë faktin se pasi të merrnin DVD, si provën vendimtare ku përligjej plotësisht edhe dëshmia e guximshme e Azem Hajdarit, se vrasjen e Shkëlqim Haklajt kërkojani këtij këtu, të derës përballë, Sali Berishës, të mos vepronin ndaj tij. Madje, nëse shikojmë me vëmendje dhe analizojmë me hollësi çdo lëvizje të Izet Haxhisë në dy ditët e qametit të 11 dhe 12 shtatorit 1998, pse Haklajt e mbajtën “të lidhur” atë, pavarësisht se sa shpjegon Izet Haxhia janë plotësisht të vërteta, të pakontestueshme dhe të provuara, një ndër arsyet ka qënë që të mos ishte i pranishëm ai pranë Sali Berishës. Ata e njihnin shumë mirë besnikërinë e Izet Haxhisë ndaj Sali Berishës. Ndaj për hir të dy familjeve të tyre tradicionale, të mirëkuptuara, të harmonishme, nuk donin të ishte viktimë aksidentale Izet Haxhia…