Mbrëmjen e kaluar nisi në Top Channel emisioni “Live me Luizin”, me drejtues dhe protagonist pikërisht Luizin, i cili vjen pranë publikut tashmë në një tjetër dimension.
Artisti, i cili prej vitesh ka kënduar në skena të ndryshme dhe numëron qindra projekte muzikore, tashmë do të vijë edhe si moderator.
Pikërisht këtu duket se qëndron edhe ura lidhëse mes emisionit dhe këngës, e cila ka ngacmuar kaq shumë publikun.
Siç është sqaruar nga drejtuesit, emri i emisionit i dedikohet pikërisht këngës, pasi në çdo episod do të jenë të ftuar këngëtarë të ndryshëm, të cilët do të këndojnë live së bashku me Luizin.
Një emision i tillë duket se i kishte munguar publikut për të prekur edhe më nga afër artin e vërtetë, ku artistët, përveçse rrëfejnë jetën e tyre, rikthejnë edhe perlat muzikore, disa prej të cilave janë arkivuar me kalimin e viteve.
Një element që e bëri për vete publikun gjatë edicionit të Big Brother ku mori pjesë Luizi ishin cover-at spontane që ai i bënte vazhdimisht këngëve shqiptare, me të cilat publiku e identifikon edhe sot.
Pikërisht këtë armë ai dhe Top Channel kanë zgjedhur ta rikthejnë edhe një herë, për të zgjuar sërish interesin e publikut përmes tre elementeve: këngës, batutave dhe spontanitetit.
Episodi i parë rezultoi i suksesshëm sa u përket shifrave në Instagram. Megjithatë, komentuesit janë të ndarë lidhur me promon që njoftonte një intervistë me Eli Farën, e cila në fakt ishte pjesë e një paneli të regjistruar me dy artistë të tjerë, të cilët nuk përmendeshin në njoftim.
Në gjuhën e gazetarisë, kjo do të ishte një truk perfekt për të mbajtur audiencën para ekranit, teksa një personazh është në kulmin e përfoljes.
Nga ana tjetër, shumë ndjekës e kanë përqafuar këtë dalje, duke dhënë mesazhin se një artiste me shumë vite në skenë nuk mund të identifikohet me një aferë të bërë publike pa dëshirën e saj dhe që i përket jetës së saj private.
