Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rikthyer në vëmendje rrezikun nga virusi i Nilit Perëndimor, në një kohë kur rastet po shtohen në disa vende të Europës.
Sipas OBSH-së, virusi transmetohet kryesisht te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, ndërsa cikli natyror i virusit zhvillohet kryesisht mes mushkonjave dhe zogjve.
OBSH thekson se rreth 80% e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma. Në rastet kur shfaqen, simptomat mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh, të përziera, të vjella dhe, në disa raste, skuqje të lëkurës.
Megjithatë, një pjesë e vogël e të infektuarve mund të zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes, që prekin sistemin nervor dhe mund të shkaktojnë encefalit ose meningjit.
Sipas OBSH-së, rreth 1 në 150 persona të infektuar mund të zhvillojë sëmundje neuroinvazive. Të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar janë veçanërisht të rrezikuar nga komplikacionet e rënda.
OBSH vëren se shumica e rasteve njerëzore në Europë regjistrohen gjatë muajve kur mushkonjat janë më aktive. Temperaturat e larta dhe kushtet e favorshme për shumimin e mushkonjave mund të ndikojnë në përhapjen e virusit.
Çfarë janë Ethet e Nilit?
Ethet e Nilit Perëndimor janë një sëmundje virale që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Virusi qarkullon kryesisht mes mushkonjave dhe zogjve, ndërsa njerëzit dhe kuajt mund të infektohen kur pickohen nga një mushkonjë bartëse.
Si infektohet njeriu?
Cikli kryesor është:
Zog i infektuar → mushkonjë → njeri
Mushkonja infektohet pasi pickon një zog që mbart virusin. Më pas, gjatë pickimit të një personi, virusi mund të kalojë te njeriu.
Ethet e Nilit nuk transmetohen përmes kontaktit të zakonshëm mes njerëzve. Nuk merret nga përqafimi, puthja, kollitja apo nga ushqimi.
Në raste shumë të rralla, transmetimi mund të ndodhë përmes transfuzionit të gjakut, transplantimit të organeve ose nga nëna te fëmija.
Cilat janë simptomat?
Shumica e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma. Kur shfaqen, ato mund të jenë: temperaturë; dhimbje koke; lodhje; dhimbje muskujsh dhe kyçesh; të përziera ose të vjella; diarre dhe skuqje në lëkurë.
Kur bëhet i rrezikshëm virusi?
Në një numër të vogël rastesh, infeksioni mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë encefalit ose meningjit.
Shenjat më të rënda përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke, qafë të ngrirë, konfuzion, dobësi muskulare, çrregullime të vetëdijes dhe probleme neurologjike.
Të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar janë më të rrezikuar nga format e rënda të sëmundjes.
A ka vaksinë?
Aktualisht nuk ka një vaksinë të licencuar për njerëzit dhe as një trajtim antiviral specifik për Ethet e Nilit Perëndimor.
Trajtimi është kryesisht mbështetës dhe rastet e rënda mund të kërkojnë hospitalizim.
Si të mbrohemi?
Mbrojtja kryesore është shmangia e pickimit të mushkonjave: përdorimi i repelentëve; veshja e rrobave që mbulojnë krahët dhe këmbët; vendosja e rrjetave në dritare dhe dyer dhe eliminimi i ujërave të ndenjura pranë banesave.
