Shtatori është më shumë se afër dhe njësoj edhe emisionet që presin të startojnë sezonin e ri televiziv pas një pause disa javore gjatë verës. Vip Magazine ju sjell një panoramë të ndryshimeve që pritet të ndodhin në ekran.
Emisioni që kryeson merkaton në çdo prag sezoni është pikërisht Big Brother Vip Albania. Diçka e sigurt është që BBV do të ketë. “Ku rrimë dot pa Big Brother ne?!”, shkroi producentja Sara Hoxha disa ditë më parë, teksa iu përgjigj ndjekësve për vazhdimësinë e formatit. Deri tani gjasat janë që moderator të jetë sërish Ledion Liço, megjithatë deri në mbrëmjen e nisjes së spektaklit pritet çdo surprizë. Alketa Vejsiu nuk do të jetë pjesë e spektaklit, me gjithë dëshirën e publikut për ta parë në këtë program, pas pjesëmarrjes së saj si e ftuar në karrigen e opinionistes në një nga episode e sezonit të shkuar.
Një lëvizje e shumëpërfolur këtë sezon ka qenë ajo e Arbana Osmanit drejt Top Channel, për t’i lënë vend Bora Zemanit te “Ferma Vip”. Dhe jo! Diçka e tillë nuk do të ndodhë. Arbana do të vijojë të drejtojë këtë spektakël për të dytin vit radhazi, dhe tashmë ka nisur edhe përgatitjet bashkë me stafin për nisjen e tij, që duket se do të jetë më afër se vitin e kaluar. Vizion Plus nga ana tjetër ka regjistruar disa ndryshime, ku mes të larguarve është moderator Syrjani i cili drejtonte emisionin “Mesdritë”. Gjithashtu rikthehet në Vizion Plus Fjodora Fjora.
Nga ana tjetër Bora Zemani nuk do të jetë në ekran këtë fillim sezoni televiziv. Sipas asaj që Vip Magazine ka mësuar, nuk ka një lëvizje të saj nga Top Channel drejt një televizioni tjetër, por moderatorja nuk ka marrë përsipër asnjë emision për momentin, duke u fokusuar te rikonceptimi i brandit të saj të veshjeve “Zeman”.
Një emër i lakuar për një rikthim të mundshëm në Top Channel është edhe ai i Luana Vjollcës me emisionin e saj ikonik “Shiko kush luan”. Këto sinjale u dhanë sezonin e shkuar gjatë një interviste të saj në emisionin “Goca dhe gra”, ku si Top-i edhe Luana pranuan se i ‘kishte marrë malli’ për njëri tjetrin. Mbetet për t’u parë nëse lëvizja është finalizuar.
Në 48 orët e fundit në shumë profile në rrjetet sociale, vijon të përflitet lëvizja e Grida Dumës, dhe jo drejt një televizioni, por drejt qeverisë në pozicionin e zëvendëses së kryeministrit Edi Rama. Kjo duket të jetë shashka e radhës për pak bujë mediatike, pasi sipas asaj që Vip Magazine ka mësuar, Grida po vijon punën për sezonin e ri në Top Media, me dy programet e saj “Top Story” dhe Podcast nga Grida Duma. Lajmi do të përditësohet në rast të ndryshimit të informacionit.
Fituesja e edicionit të shkuar të Big Brother Vip Albania, Selin Bollati do të ndryshojë këtë sezon logo tashmë në rolin e moderatores. Nga Tv Klan, televizioni ku u rrit si balerinë dhe më pas edhe prezantuese në krah të Ardit Gjebreas, Selin pritet të jetë këtë sezon në panelin e moderatoreve “Goca dhe gra” në Top Channel. Nuk dihet cilën nga moderatoret do të zëvendësojë ajo, megjithatë gjasat janë që Selin të ulet në karrigen e Sherina Spahiut, e cila më herët në instastory ka konfirmuar se nuk do të jetë më në ekran këtë sezon, duke lënë të kuptohet se i kishte marrë atë që duhet televizionit duke u fokusuar sërish në projektet e saj.
Fiks Fare do të vijë tërësisht i rikonceptuar këtë sezon, pas largimit pas 25 vitesh të Filip Çakullit. Gjithashtu thuhet se bashkë me të do të largohen edhe dy moderatorët Xhemi Shehu dhe Jul Deda. Nuk dihet ku do t’i shohim ata në sezonin e ri. Ajo që dihet me siguri, është se Xhemi do të vijojë të jetë pjesë e kastit të “Portokalli”, si aktore tashmë me rikthimin edhe të bashkëpunëtorit të saj të vjetër në krye të spektaklit të humorist. Agron Llakaj do të lërë Vizion Plus, për t’u rikthyer në shtëpinë e vjetër Top Channel në vend të Salsano Rrapit.
Ndryshime rrënjësore do të ketë edhe në Për’puthen. Që nga autoret Megi Pojani dhe Neda Balluku e deri te moderatorja. Këtë vit programi i dashurisë, do të vijë në autorësinë e Ronaldo Sharkës, ndërsa moderatore pritet të jetë Heidi Baci. Personazhet e përfolur për karrigen e opinionistëve janë Erjola Doçi dhe Arjan Konomi.
Gjithashtu mes emisioneve që do të rikonceptohet në sezonin e ri në Top Channel, është edhe ai i paradites “Në Shtëpinë tonë”, ku mësohet se Julka Gramo nuk do të jetë më në rolin e moderatores. Duke mbetur në emisionet e paradites, ndryshime janë njoftuar edhe në ekranet e tjera. Bora Shahini ka njoftuar largimin nga A2CNN, ku në vend të saj pritet të shohim Anila Çelën. Kjo e fundit mbylli sezonin e fundit të drejtimit të emisionit “Vila 24” në News 24 i cili në sezonin e ri do të drejtohet nga Valbona Mhilli.
Kaq për nisjen e sezonit. Shikim të këndshëm. / Vip Magazine
