Organizatorët e protestës së quajtur “Flamingo Revolution – Marshimi i Shqipërisë së Re” kanë publikuar itinerarin dhe rregullat që do të ndiqen gjatë marshimit të planifikuar për mbrëmjen e sotme në Tiranë. Sipas njoftimit, grumbullimi do të nisë në orën 20:30 para Kryeministrisë, ndërsa protesta do të zhvillohet brenda zonës së Unazës së Tiranës.
Sipas hartës së shpërndarë nga organizatorët, marshimi do të nisë nga Kryeministria dhe do të vijojë në zonën e 9 Katësheve, më pas te Zogu i Zi, Vasil Shanto, Sheshi Wilson dhe do të përfundojë në Sheshin Skënderbej. Ndërkohë, pjesëmarrësve u janë bërë publike edhe pesë rregulla kryesore: marshimi do të zhvillohet brenda Unazës, nuk do të ndahet në grupe, nuk do të ndryshojë spontanisht drejtim, nisja do të bëhet në orën 20:30 dhe gjatë gjithë itinerarit do të lihet një korsi e lirë për automjetet e emergjencës. Organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë këto udhëzime për të garantuar mbarëvajtjen e marshimit.


