Në një kohë kur bota po bëhet gjithnjë e më e zhurmshme, por më pak empatike, Jona Dervishi zgjedh të flasë për vlera që sot duken të harruara: njerëzoren, barazinë dhe përgjegjësinë shoqërore.
Nga aktivizmi i hershëm në kauza sociale, te përvoja në sport si mjet integrimi, e deri te themelimi i United Rights Foundation, rrugëtimi i saj është dëshmi se ndryshimi nuk lind rastësisht, por ndërtohet me bindje dhe mision.
Në këtë intervistë për Vip Magazine, Jona Dervishi flet hapur për momentin kur vendosi t’i japë emër dhe identitet asaj që kishte mbajtur brenda vetes prej vitesh, për sfidat e të qenit grua në krye të një fondacioni për të drejtat e njeriut në Shqipëri, si edhe për keqkuptimet që ende mbizotërojnë rreth barazisë dhe të drejtave themelore.
Me empatinë si bosht kryesor dhe me një mesazh të fortë për brezat e rinj, ajo rrëfen pse të mos dorëzohesh kurrë është, në vetvete, një akt rebelimi dhe shprese.
Intervista e plotë:
Kush ishte Jona para se të ekzistonte United Rights Foundation?
United Rights Foundation ka qenë gjithmonë brenda meje. Që në moshë shumë të re kam qenë aktive në mbrojtje të kauzave sociale dhe e angazhuar në organizata të ndryshme, përfshirë edhe ato politike, sepse kam besuar gjithmonë se rinia është forca kryesore që sjell ndryshime të mëdha.
Këtë bindje të brendshme e konkretizova rreth dy vite e gjysmë më parë, kur vendosa t’i jap formë, emër dhe identitet asaj që kisha mbajtur brenda vetes për shumë kohë. Ishte një moment frymëzimi dhe pjekurie personale; vajza ishte rritur pak më shumë dhe unë kisha më shumë hapësirë mendore për të reflektuar qartë se çfarë doja të ndërtoja dhe pse.
Si ndodhi kalimi nga sporti tek aktivizimi për të drejtat e njeriut?
Sporti është një nga faktorët më të rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e njeriut. Gjatë kohës sime si zëdhënëse në Federatën Shqiptare të Futbollit u njoha edhe më shumë me nisma konkrete për grupet vulnerabël: kampionate për të verbrit, për personat me aftësi të kufizuara, fushata kundër racizmit, iniciativa që UEFA dhe FIFA i kanë prioritare.
Sporti është një mjet i jashtëzakonshëm integrimi dhe ndërgjegjësimi. Ai krijon një urë shumë të fortë mes njeriut dhe të drejtave të tij universale.
Cili është misioni kryesor i URF sot?
Misioni kryesor i URF është empatia. Njerëzit duhet të mësohen me empatinë, sepse ajo është vlera më e madhe njerëzore. Përmes projekteve që implementojmë, mundohemi të sjellim më të mirën tonë për komunitetet në nevojë.
Problemet e njerëzimit nuk janë të lidhura vetëm me një vend të caktuar. Shqipëria nuk ndryshon shumë nga vendet fqinje. Bota po bëhet çdo ditë e më egoiste dhe pikërisht për këtë arsye kemi detyrën të vendosim të drejtat e njeriut në qendër të botëkuptimit tonë.
A vjen ndryshimi më shumë nga ligji apo nga qytetaria?
Njerëzit lindin të gjithë njësoj, të zhveshur nga çdo e keqe. Mënyra se si trajtohen dhe si rriten bëhet vendimtare për të ardhmen e tyre. Ligji dhe qytetaria duhet të ecin krah për krah, në ndihmë të njëra-tjetrës, jo si kundërshtarë. Bashkëpunimi dhe respekti reciprok janë mënyra më e mirë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të fortë.
Cili është keqkuptimi më i madh për të drejtat e njeriut në Shqipëri?
Keqkuptimi më i madh, mendoj, është ideja e “të drejtave të tepruara”. Jetojmë në një botë ku rregullat ndryshojnë vazhdimisht dhe duhet të dimë të përshtatemi, duke kërkuar realisht ato të drejta që na takojnë.
Për shembull, barazia gjinore shpesh ngatërrohet me feminizmin ekstrem. Gjithsesi, besoj fort se çdo njeri duhet t’i njohë të drejtat e tij themelore dhe t’i respektojë njësoj edhe ato të të tjerëve.
Si është të drejtosh një fondacion për të drejtat e njeriut si grua në Shqipëri?
Shqipëria ka pësuar ndryshime të dukshme në mentalitet, sidomos në dekadën e fundit, por nuk mund të them se është në momentin e saj më të mirë. Të jesh grua është shpesh e vështirë, por në disa situata mund të jetë edhe një avantazh, sepse gruaja reflekton butësi dhe diplomaci.
Unë i dua shumë gratë dhe jam shumë e lumtur që punoj çdo ditë me vajza dhe gra.
Çfarë të mban të vazhdosh edhe kur lodhesh?
Do të doja që një ditë të mund të thosha thjesht: “Ja, paska vlejtur.” Nuk jam natyrë që dorëzohem dhe çfarë e kam pasion nuk më lodh kurrë. Besoj se njeriu ka gjithmonë shumë opsione në jetë dhe nuk duhet të ndalet kurrë përballë vështirësive. Përndryshe, ç’kuptim ka të jesh misionar?
Çfarë do të doje të trashëgonte shoqëria nga puna e URF?
Ashtu si parimet e Revolucionit Francez: liri, barazi, vëllazëri.
Çfarë këshille do t’u jepje vajzave të reja?
Të mos dorëzohen kurrë. Shumë gjëra mund t’i bëjnë po aq mirë, madje edhe më mirë se burrat. Të mos e nënvlerësojnë kurrë veten dhe të ndihen krenare që janë vajza, gra dhe nëna të ardhshme.
Nëse do t’i lije shoqërisë shqiptare një mesazh të vetëm?
Jini empatikë dhe shikoni më larg se porta e derës suaj. Bota sot është një xhungël e egër sepse gjithçka po orientohet drejt egos dhe instinkteve personale. Mos u dorëzoni kurrë dhe mos mendoni asnjëherë “nuk jam e aftë.
Çdo njeri ka një mision të vetin në këtë botë; ndiqni pasionin tuaj, sepse ai do t’ju çojë drejt misionit. Jini mirënjohës dhe fisnikë, sepse mosmirënjohja është tipar i njerëzve të vegjël dhe të pasigurt. Me besim të madh në Zot, i uroj kujtdo që kurrë të mos e humbasë veten.










/Vip-Magazine.al/

