Monday, December 23, 2024

Ellen DeGeneres i jep fund programit pas 19 vitesh, prek me mesazhin: Faleminderit shumë që ishit në këtë udhëtim me mua

E përlotur, Ellen DeGeneres i dha fund shfaqjes së saj që ka zgjatur 19 vjet. “The Ellen DeGeneres Show” përfundon dy vite pas verës së vitit 2020, kur u ngritën akuzat për një vend toksik pune.

“E dija që ky sezon do të ishte sezoni im i fundit, kështu që me të vërtetë u përpoqa të merrja gjithçka”, tha ajo në një intervistë për Hollywood Reporter. “Dhe është qesharake sepse dy muajt e fundit isha më e emocionuar sesa në javët e fundit. Javën e kaluar nuk isha sepse vërtet doja ta shijoja.”

Karriera e Ellen ka pasur shkëlqimin, por edhe zbehjen e saj. Në vitet ’80, ishte e vështirë në SHBA që të konsiderohej një komediane tjetër përveç Roseanne Barr. Mirëpo Ellen ra në sy që në daljen e saj në “The Tonight Show” me Johnny Carson, ku fliste për historitë familjare me batuta që tërhoqën vëmendjen e audiencës. “Prindërit e mi ishin jashtëzakonisht mizorë me mua,” tha ajo me shaka. “Më kujtohet, po kthehesha në shtëpi nga kopshti…Epo, më thanë se ishte kopsht fëmijësh. Më vonë mora vesh se kisha punuar në një fabrikë për dy vjet.”

Mes viteve 1994-1998, Ellen u shfaq në sitcom-in “Ellen”. Asokohe, kur i kërkonin që të mos tregonte se ishte lesbike, Ellen foli publikisht për seksualitetin e saj. Kopertina “Yep, I’m Gay” e TIME si edhe rrëfimi në “The Oprah Winfrey Show” u konsideruan pa frikë një lëvizje e madhe. Vendimi i saj u festua nga komuniteti LGBTQ+, por ishte gjithashtu në qendër të reagimeve të ndryshme.

“The Ellen DeGeneres Show” u kthye në hit që pas premierës më 8 shtator 2003. Shakatë e Ellen, mimikat dhe lëvizjet e saj ishin të këndshme për audiencën. Intervistat me të famshmit dhe lojërat i dhanë shfaqjes një ton argëtues. Ellen përzgjidhej edhe për organizime të tjera, si për shembull kur prezantoi Oscars në vitin 2007 dhe sërish në vitin 2014, kur u shkrep një selfie me personazhe të njohur e cila u bë virale.

Në verën e vitin 2020, nisën thashethemet për mjedisin toksik të punës. Variety raportoi se ekipi ishte i mërzitur me mënyrën se si producentët kryesorë kishin – dhe nuk kishin – komunikuar me ta në mes të pandemisë së Covid-19. Tre muaj më vonë, një raport i Buzzfeed News që citonte ish-punonjësit, përshkroi një mjedis ku njerëzve u thuhej të mos flisnin me Ellen dhe dikush humbi punën pasi mori pjesë në një funeral familjar. Një grua me ngjyrë kujtoi një situatë ku një bashkëpunëtore i tha: “Më vjen keq, unë di vetëm emrat e njerëzve të bardhë që punojnë këtu” dhe sjellje të tjera raciste.

Pavarësisht përpjekjeve të DeGeneres, vlerësimet për shfaqjen e saj ranë. Midis shtatorit dhe marsit 2021, audienca ra nga 2.6 milionë në 1.5 milionë, sipas New York Times. DeGeneres njoftoi në maj 2021 se sezoni i saj i ardhshëm do të ishte i fundit. Ajo tha se akuzat toksike në vendin e punës dhe vlerësimet nuk ishin faktorë dhe plani kishte qenë gjithmonë që ta mbyllte atë kur kontrata të përfundonte në vitin 2022, në mënyrë që të mund të kërkonte sfida të reja.

Shpërthen në lot, prezantuesja e njohur i jep fund programit pas 19

“Nëse po shikon sepse më do, faleminderit,” tha Ellen në monologun për hapjen e sezonit. “Nëse po shikon sepse nuk më do, mirë se erdhe.”

spot_img

Te fundit

112,000FansaPëlqeje
189,000NdjekësitNdjek
18,000NdjekësitNdjek
66,000AbonentëAbonohu
spot_img

Related articles