Ilir Shaqiri ka folur për herë të parë për dasmën e shumëpërfolur. Pas lajmit të publikuar nga Vip Magazine për një ceremoni në bregdet i gjithë rrjeti u vu në lëvizje, disa për të gjetur fustanin/kostumin e disa për të gjuajtur për peshk.
Sot Iliri ka zgjedhur të flasë për Revistën Class pa zbuluar shume detaje rreth ceremonisë. Ai është ndalur edhe te raporti me Sabianin dhe emisioni i Donaldit ku thotë se ka zgjedhur ta lërë të flasë edhe për vetë emrin që ka programi.
Pjesë nga Intervista
Cili është miku më i mirë pas BB?
Kam disa miq të mirë dhe vazhdoj të mbaj marrëdhënie të mira me ta, sepse dinë çfarë flasin pa kushtëzime dhe pretendime, si gjatë programit, ashtu edhe pas tij. Në miqësi çdo gjë duhet të lindë në mënyrë spontane dhe nga zemra, përndryshe është falsitet dhe hipokrizi.
Pse u prish marrëdhënia me Sabianin?
Unë mendoj që ne të dy i kemi dhënë shumë njëri-tjetrit, si brenda, edhe jashtë shtëpisë. Kur dikush bën për mua, di t’ia vlerësoj dhe ta rikëmbej pa ma kërkuar askush. Rëndësi ka kur miqtë dinë çfarë bëjnë dhe flasin në situata të ndryshme, për më tepër kur jemi në qendër të vëmendjes dhe para syve të publikut. Gjithsesi, mendoj që Sabiani është njëri nga ata që, nëse më ka qëndruar më afër një herë, i kam treguar që di ta vlerësoj dhjetë herë, si me fjalë, ashtu dhe me vepra. Pastaj, fjalët e tepërta janë fukarallëk dhe komentet e lagjes tek unë s’kanë asnjë efekt.
Pengu që të mbeti nga spektakli?
E kam thënë si brenda, edhe jashtë BBV, asnjë peng përveç tregimit tim përsa i përket gabimit fatal që desh më kushtoi familjen e mrekullueshme që kam. Nganjëherë sinqeriteti i tepruar merret për strategji dhe dobësi, ama mendoj që pak veta do kishin këllqe ta pranonin diçka të tillë dhe ta dënonin veten para miliona syve duke gjykuar dikë që ka kurajë të deklarohet fajtor. Kush ka tru, le të nxjerrë mësime nga gabimi im. Sa për lojën time, nëse kështu do quhej gjithçka unë isha për 4 muaj e gjysmë, s’kam për çfarë të jem penduar tjetër.
Do ta përsëritje si eksperiencë?
Sfidat i kam parim në jetë dhe në punë, ndryshe nuk do merrja pjesë në BBV. Mendoj se po, do e përsëritja pa frikë dhe do isha po ai që keni parë për ato muaj, nga dita e parë tek e fundit.
Ku do t’i investosh paratë (ke filluar nga puna)?
S’ka mbetur gjë më për investime, sepse gjysma e çmimit u dha për bamirësi, pa asnjë influencim ose detyrim dhe shumë shpejt do merrni lajmin sa gjë e bukur po bëhet. Këtë dhuratë e kisha shkruar vetë në formularin e BBV që kur isha në izolim në hotel, para se të fillonte programi. Gjëja më e bukur pas një eksperience të tillë është të falënderosh njerëzit që kisha dhe ndjeja pranë meje, prandaj përveç miqësisë, respektit, një pjesë ua dhurova Emanuelës dhe prindërve të mi për gjithë sakrificat e tyre, një pjesë i është dhuruar Sabianit për miqësinë e krijuar në shtëpi dhe për faktin që doja ta kisha me vete në finale dhe, sigurisht, një pjesë i është destinuar vëllait tim Olti, që s’e ka marrë akoma. Për veten, jam i kënaqur dhe më mjafton emri i fituesit. U jam mirënjohës të gjithë njerëzve që më përkrahën. Unë nuk hyra për para në BBV dhe jam shumë mirë kështu.
Çfarë të ka zhgënjyer më shumë pas spektaklit?
Nuk kam asnjë lloj zhgënjimi. Kam parashikuar dhe analizuar shumë situata dhe karaktere brenda shtëpisë dhe sigurisht u konfirmuan edhe jashtë. Më vjen të qesh kur dëgjoj prononcime pa argumente dhe të bazuara thjesht për të qenë në vëmendje të hidhepritjes së thashethemeve, si solucion i spektaklit post BBV.
Pse nuk i ke shkuar Donaldit në program?
Sepse doja ta lija të fliste në shtëpinë e tij. Në fund të fundit, është emisioni i tij dhe titulli duhej t’i përshtatej Donaldit, jo mua. Të përsëritnim BBV në ditën e 137-të të tij, mendoj nuk do kishte kuptim për vetë titullin e emisionit.
Cila famë është më e bukur, ajo e balerinit apo ajo e Big Brother?
E Ilirit balerin, si art, e Ilirit të BBV si njeri.
Po fansat më të mirë, ata që pëlqejnë artin e Ilirit apo ata që pëlqejnë Ilirin?
Më mjafton dhe vlerësoj çdo fjalë të mirë të tyre, sidoqoftë konteksi.
Ke vendosur që të vazhdosh jetën mes Shqipërisë dhe Italisë apo do zhvendosesh përfundimisht në Tiranë?
Për momentin, udhëtoj vazhdimisht pa harruar atë që kam krijuar në Itali dhe atë që jam në Shqipëri. Këtë gjë e kam bërë gjithmonë, jo vetëm tani. Tirana dhe Shqipëria po bëhen gjithmonë e më të bukura dhe një ditë, mendoj se do jetoj aty ku linda.
A do të të shohim së shpejti në “Isola dei famosi”?
“Isola dei famosi” filloi kur unë isha brenda shtëpisë, sepse BBV u shty dhe “Isola”, për arsye produksioni, u përshpejtua. Gjithsesi, kandidatura për vitin tjetër është e vlefshme dhe unë dua të përballem dhe të shijoj këtë eksperiencë që nga fillimi, pse jo edhe të notoja i pari drejt ishullit dhe dilja i fundit, siç ndodhi dhe në BBV. Jam rritur mes natyrës, detit dhe aventurës në Shqipëri, ndaj mendoj që do ia dilja edhe aty. Një që është e sigurt: edhe po s’fitova, do i mbaj me peshk dhe ushqim të gjithë sa janë të humburit në atë ishull.
Ke menduar të sjellësh diçka (projekt) bashkë me Emilyn?
Emily ka 2 filma në xhirim për momentin dhe është shumë e zënë për të menduar diçka për tregun shqiptar. Do më pëlqente shumë një këngë e saj shqip, po do t’ia lëmë kohës dhe mundësive.
Kur do bëhet dasma dhe ku? Ç’plane keni?
Dasmë kam gjithmonë, jam me familjen time. Adhuroj surprizat dhe emocionet që ato japin. Për momentin, jam duke menduar koreografinë në spektaklin e radhës që do mbahet në Shqipëri së shpejti. Sa për dasmë, një të tillë e bëra duke zënë peshq, fotot dhe artikujt 2 javë para në plazh. Ne peshkatarët kemi një shprehje, QËLLOFSHI!