Qëndrimi me rroba banje të lagura shpesh shkakton probleme të pakëndshme shëndetësore, nga infeksionet kërpudhore deri te infeksionet e dhimbshme të traktit urinar. Brendësia e rrobave banje të lagura është një ambient i ngrohtë dhe i lagësht, kushtet ideale për zhvillimin e baktereve. Kur jeni në ujë, materiali i rrobave banje thith kimikate të ndryshme dhe baktere që gjenden në pishina ose në det. Sapo dilni nga uji, pjesët intime mbesin të mbuluara brenda materialit, bashkë me të gjitha këto substanca të dëmshme.
Kjo mund të prishë balancën e baktereve të dobishme në vaginë, ose të lehtësojë hyrjen e baktereve të dëmshme në kanalet urinare, duke shkaktuar probleme të shumta, përfshirë vaginozën bakteriale dhe infeksionet e traktit urinar (ITU). Në rast të vaginozës bakteriale mund të shfaqen ndryshime në sekretin vaginal (aromë e pakëndshme, ngjyrë gri), kruarje, ënjtje ose dhimbje. Simptomat e infeksionit të traktit urinar përfshijnë dëshirë e fortë dhe e shpeshtë për të urinuar, djegie gjatë urinimit, dhimbje në pjesën e poshtme të barkut, urinë e turbullt.
Nëse ndjeni simptoma të vaginozës bakteriale, është e rëndësishme të këshilloheni me mjekun për të marrë terapinë e duhur. Gjithashtu, rekomandohet të pini shumë ujë dhe çajra si dhe suplemente me bazë boronice. Meqë kërpudhat përhapen më lehtë në ambient të ngrohtë dhe të lagësht, pjesa e poshtme e lagur e rrobave të banjës mund të nxisë infeksione kërpudhore, sidomos te gratë që janë më të prirura ndaj tyre. Bakteret që shumohen në këtë ambient mund të shkaktojnë mbirritje të candidës në vagjinë ose vulvë, duke sjellë simptoma të pakëndshme si djegie, kruarje, sekrecione me ngjyrë si gjizë. Gratë me diabet ose ato që përdorin ilaçe që dobësojnë sistemin imunitar janë më të rrezikuara nga këto infeksione.
Kremrat dhe barnat kundër kërpudhave (me ose pa recetë) mund të ndihmojnë. Nëse keni dëgjuar për “këmbën e atletit”, dijeni se të qëndruarit ulur me rroba banje të lagura mund të shkaktojë një infeksion kërpudhor të ngjashëm në zonën gjenitale. Kontakti me lloje të caktuara kërpudhash të njohura si dermatofite mund të shkaktojë infeksion të lëkurës së organeve gjenitale, pjesës së brendshme të kofshëve dhe vitheve. Rezultati është një skuqje e kuqe që kruhet dhe shpesh merr formë rrethore. Simptomat përfshijnë skuqje në ijë dhe palosje të lëkurës, lëkurë që luspohet, djegie, kruarje, plasaritje ose zona të lagështa. Skuqja është zakonisht më e theksuar në skaje dhe më e zbehtë në qendër.