Zbulohen detaje të reja nga ajo çfarë prodhoi mbledhja e zgjeruar mes Grupit Parlamentar të PS dhe ministrave të kabinetit qeveritar.
Tch shkruan se, Rama ka përcjellë një mesazh kritikues për deputetët socialistë të qarkut, Shkodër në lidhje me protestën e banorëve të Rrjolit.
E ndërsa drejtoresha e Përgjithshme e Hipotekave, Lorena Goxhobelli, ka mbaruar prezantimin në pjesën e diskutime ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama.
“Nuk mund ti jepni zë disa personave që pretendojnë një pronë që nuk është e tyre. Ne kemi ngritur një grup pune nga ku na rezulton se s’kanë dokumente pronësie por letra të falsifikuara”, citohet te ketë thënë Rama dhe kërkuar distancim të deputetëve të tij nga kjo çështje.
Kujtojmë se banorët e Rrjollit e cilësojnë këtë ndërtim si një grabitje të pronës së tyre nga kompania “Gener 2”.
Ata thonë se disponojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë, me vendim gjykate të vitit 2006.
Resorti turistik do të ndërtohet në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër, me një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.
Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me vëllezërit e tij, Astritdhe Ahmet Ulaj, morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje”, për ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo” në bregdetin e Velipojës.

