Pas protestës së djeshme dhe incidenteve para Kryeministrisë, policia shoqëroi 23 persona, mes tyre edhe një të mitur, i cili më pas u la i lirë.
Prindërit e tij kanë pretenduar se djali i tyre nuk ka lidhje me dhunën në protestë, pasi ishte duke mbledhur mbetje plastike.
Duke folur për mediet, nëna e 14-vjeçarit Romeo Kara, ka hedhur akuza ndaj policisë, duke thënë se e kanë dhunuar djalin dhe se ky i fundit ka probleme me zemrën.
“Ka shkuar te koshat se merrte ndonjë plastikë dhe gjëra dhe i kanë shkuar katër civilë dhe e kanë kapur te xhamia, kur po lante fytyrën me ujë te xhamia. Djali më tha se nuk e dinte pse e kanë rrahur, ç’ke me mua’, i ka thënë. ‘Ke gjuajtur policinë, i kanë thënë ata’. Çfarë shteti është ky që më rreh fëmijën kot, pa lidhje? Unë me zor e rris, ku me bukë ku pa bukë, jo ta rrafin pa lidhje një fëmijë. Ai është i sëmurë me zemër”, u shpreh nëna e 14-vjeçarit.
Ndërkaq vetë i mituri pasi foli nga Komisariati, tha se e kanë shoqëruar pranë xhamisë së Namazgjasë dhe deklaron se e kanë dhunuar.
“Isha te xhamia, isha pa mendje. Më morën, më futën në pranga dhe më kanë rrahur. Isha duke larë fytyrën prej gazit. Më erdhën pesë civilë, më futën në pranga, më ulën poshtë xhamisë, më goditën dhe më sollën këtu. Se di çfarë bëhet, më bënë ca letra. Më erdhën ca deputetë që më nxorën përjashta”, tha i mituri.

