Nëse ndonjëherë keni qenë duke parë profilin e dikujt në Instagram dhe, pa dashje, keni pëlqyer një foto të postuar vite më parë, me siguri e njihni shumë mirë atë moment të sikletshëm. Sidomos kur bëhet fjalë për profilin e një ish-i, një personi që sapo keni njohur apo thjesht dikujt që nuk duhet ta kuptojë se po i shihni fotot e vjetra.
Por çfarë ndodh në të vërtetë nëse e hiqni menjëherë pëlqimin? Kreu i Instagram, Adam Mosseri, ka dhënë së fundmi përgjigjen dhe duket se “undo” nuk ju shpëton gjithmonë nga sikleti.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Mosseri shpjegoi se Instagram gjeneron dy lloje njoftimesh kur dikush pëlqen një postim. Njëri shfaqet brenda aplikacionit, ndërsa tjetri dërgohet si njoftim push në telefonin e personit që ka publikuar foton.
Kjo do të thotë se, nëse e hiqni pëlqimin menjëherë, Instagram mund ta fshijë njoftimin brenda aplikacionit. Megjithatë, nuk mund të tërheqë një njoftim push që është dërguar tashmë në telefonin e personit tjetër.
Pra, edhe nëse në Instagram nuk mbetet asnjë gjurmë e “like”-ut, një njoftim si “X pëlqeu foton tuaj” mund të ketë mbërritur tashmë në ekranin e kyçur të telefonit.
Nëse personi e prek njoftimin pasi pëlqimi është hequr, ai nuk do të gjejë më një regjistrim përkatës brenda aplikacionit. Problemi është se nuk ka asnjë mënyrë për të ditur nëse njoftimi është parë apo jo.
Pse Instagram nuk mund ta fshijë?
Sipas Mosserit, Instagram nuk ka mundësi të kontrollojë njoftimet që janë dërguar tashmë në pajisjen e një përdoruesi. Pasi njoftimi push arrin në telefon, aplikacioni nuk mund ta fshijë nga ekrani i personit tjetër.
Prandaj, heqja e menjëhershme e “like”-ut nuk garanton që personi nuk e ka parë njoftimin. Gjithçka varet edhe nga cilësimet e njoftimeve që ai ose ajo ka aktivizuar në telefon.
Reagimi i përdoruesve
Shpjegimi i kreut të Instagram shkaktoi jo pak reagime, pasi “like”-u aksidental i një fotografie të vjetër është kthyer prej vitesh në një nga makthet klasike të përdoruesve të rrjeteve sociale.
Disa e pritën me humor, ndërsa të tjerë pranuan se tashmë kanë një arsye më shumë për të kontrolluar me kujdes se ku klikojnë. Pra, edhe nëse e hiqni “like”-un në sekondë, mund të jetë pikërisht ai sekondë që ka mjaftuar për të nisur një njoftim në telefonin e personit tjetër.
