Gjatë çeljes së eventit Muse-x, Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji në praninë e Ministrit Blendi Gonxhja, ka bërë publike dy zhvillime madhore për të ardhmen e industrisë së filmit në vend. Me sloganin Albanian Film Industry, Worl in Progress deklaroi se krahas nisjes së programit të parë të mirëfilltë të internshipeve dedikuar kineastëve të rinj dhe studentëve të arteve, u dha edhe lajmi i shumëpritur i ndërtimit të një zone të re me studio filmike në Shqipëri, e cila do të shërbejë si motori kryesor i kësaj industrie të rivitalizuar.
Përmes nismës së re të edukimit, çdo produksion filmi i financuar nga QKK do të ketë detyrimin që, përkrah profesionistëve të industrisë, të përfshijë në stafin e tij realizues edhe kineastë të rinj pjesë të këtij programi. Kjo përvojë e drejtpërdrejtë në sheshxhirim do të shkojë përtej praktikës, pasi kreditet e fituara do t’u njihen zyrtarisht studentëve edhe në vlerësimin e tyre universitar. Për më tepër, ky program internshipi do të shtrihet edhe në produksione të huaja të rëndësishme, duke mbuluar një hartë nga Europa deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aktualisht po shihet mundësia e bashkëpunimeve të ngushta me kompanitë më të mëdha të filmit në botë, me qëllim që të rinjtë shqiptarë të fitojnë eksperiencë profesionale të standardeve më të larta globale.
Me mbështetjen e Ministrise se Turizmit Kultures dhe Sporteve dhe vet ministrit Gonxhja dhe në mbështetje të këtij brezi të ri profesionistësh, lajmi për ndërtimin e kompleksit të ri të studiove filmike shënon një moment historik për infrastrukturën e vendit.
Ky projekt synon ta kthejë Shqipërinë në një shesh xhirimi të madh dhe modern, duke tërhequr produksione ndërkombëtare dhe duke ofruar njëkohësisht hapësirën e munguar për krijuesit vendas. Të dyja këto hapa konkretë i shërbejnë drejtpërdrejt vizionit “work in progress” për fuqizimin e kinematografisë shqiptare, duke e shndërruar atë në një potencial të vërtetë ekonomik dhe kulturor.

