Babai i tij i ka lënë muzikës folklorike një trashëgimi të pamasë. E në hapat e të atit vazhdon sot rrugën djali i artistit të madh Sherif Dervishi, Fatjon Dervishi.
E nisi muzikën që në moshë të vogël duke ëndërruar që një ditë të ishte një artist i madh si babai i tij. Në një intervistë për Vip Magazine, ai tregon se është rritur me idenë që një ditë të bëhet si i ati.
Sot Fatjoni ruan edhe disa kujtime mjaft të çmuara nga babai i tij i cili nuk jeton më, mes të cilave edhe çiftelinë dhe kostumin kombëtar, ndërsa në repertorin e tij muzikor numëron edhe një bashkëpunim me të.
Dëshira e tij është që një ditë edhe fëmijët e tij ta trashëgojnë dashurinë që ai mori nga babai i tij për muzikën.
Intervista për Vip Magazine
-Si ka lindur pasioni juaj për muzikën?
Jam rritur me idenë se një ditë dua të jem një njeri i tilë, si babi.
-A ka ndikuar lidhja e veçantë për babain për rrymën e muzikës që këndoni sot, a ka qenë ai shtysë që ti t’i futeshe muzikës?
Ka ndikuar, sepse për mua ishte mrekulli kur shikoja babin duke interpretuar. Po ka qenë shtysë dhe si rezultat i kësaj kam një bashkëpunim me të në muzikë.
-Çfarë muzike keni dëgjuar më shumë në fëmijërinë tuaj?
Të them të drejtën i kam dëgjuar të gjitha rrymat, por fatin dhe mundësinë e kisha për të dëgjuar live muzikën folklorike.
-Cili është kujtimi më i çmuar që ruani nga babai juaj?
Në fakt janë shumë kujtime që ai njeri më ka lënë, dhe mund të rendis disa:
-Çiftelia
-Kostumi kombëtar (origjinal)
-Bashkëpunimi me të dhe këshillat.
-Çfarë vështirësish keni hasur gjatë karrierës tuaj?
Vështirësitë janë nga më të ndryshmet në art dhe më kryesorja infrastruktura si dhe artistë të tjerë që mundohen të bëhen penge dhe jo krah, etj.
-Ku e gjeni muzën kur dilni në skenë para spektatorëve?
Te pasioni dhe te dëshira shumë e madhe për të përcjellë gjithçka kam brenda vetes te publiku.
-Cili është mesazhi më i shpeshtë që keni marrë kur dilni në skenë?
Ishe i mrekullueshëm, na dhe shumë emocion…
-Ju keni bërë edhe shumë koncerte jashtë vendit, çfarë ju thonë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë?
Rryma që unë luaj është paksa e veçantë dhe e rrallë dhe janë shumë dashamirës të këngëve të vjetra të folklorit shqiptar, kryesisht atij verior, e gjatë mbrëmjeve muzikore ato këndojnë me ne pa ndalim. Gjej rastin t’i përshëndes të gjithë.
-Kush është personi që ju këshillon në karrierën tuaj në muzikë?
Në fakt këtu dua të ndalem pak pasi këshilla marr prej të gjithë artistëve të vjetër që kanë qenë miq të babit dhe unë sot bashkëpunoj me ta, të cilët janë Edmond Zhulali, Shaqir Cerdaviku. Por njeriu që nuk rreshti kurrë duke më mbështetur në çdo aspekt në lidhje me karrierën time është Ylli Shehu të cilin dua ta falënderoj me gjithë zemër dhe t’i shpreh mirënjohje dhe respekt.
-A e ëndërroni që një ditë fëmijët tuaj të trashëgojnë pasionin tuaj për këngën, ashtu si e keni trashëguar ju nga babai juaj?
Edhe për këtë fakt janë të shumë njerëzit që më komplimentojnë me shumë sinqeritet pasi unë e nisa aty ku babi e la pse jo, ashtu të trashëgohet brez pas brezi. Ju falënderoj shumë për këtë intervistë dhe ju uroj punë të mbarë.
/Vip-magazine.al/