Saturday, December 28, 2024

El Dorado, qyteti i artë: Historia e vërtetë pas legjendës, a ka një vendndodhje të saktë?

El Dorado, ishte një qytet mitik që thuhet se ishte shumë i pasur me ar, dhe i raportuar për herë të parë në Evropë në shekujt XVI-XVII. Vendndodhja e përfolur e El Dorados është diskutuar në burime të ndryshme, por më së shpeshti thuhet se ndodhej në Amerikën e Jugut.

Shumë eksplorues dhe ata që kërkojnë ar ose pasuri, janë vënë në kërkim të El Dorados.

Po sipas disa ekspertëve, El Dorado, ishte në fakt një kombinim i disa miteve, dhe jo një vendndodhje fikse. Në disa rrëfime El Dorado rezulton të jetë një njeri, në të tjera një liqen ose një luginë.

Në vitin 1835, ishin mbushur mbi 3 shekuj nga lindja e mitit të El Dorados. Por origjina e tij, dhe nëse ka ekzistuar vërtet një qytet prej ari, është ende e diskutueshme. Një nga historitë më të famshme të origjinës së El Dorados, u përmend për herë të parë kur Juan de Kastelanos, një konskuistador i kthyer në prift, e përfshiu atë si pjesë të historisë së tij mbi heroizmin e spanjollëve në Amerikë, të shkruar në vitet 1570.

Historia lidhet me kreun e një fisi Muiska që banonte në një pllajë të madhe – pushtuesit e njihnin si Kundinamarka – në vargmalin lindor të Andeve, në Kolumbinë e sotme. Atje Kastelanos tregon se një herë në vit, shefi mbulohej nga koka te këmbët me vaj terpentine dhe pluhur ari.

Nga këtu rrjedh edhe emri “El Dorado”, që përkthehet “i artë”. Sipas Kastelanos, shefi i fisit hipte mbi një varkë dhe shkonte në mesin e liqenit Guatavita. Njerëzit e fisit këndonin këngë, ndërsa ai i bënte liqenit dhurata në ar dhe smerald. Pastaj zhytej brenda tij, dhe ky ishte sinjali për fillimin e një festivali. Në fakt, nuk ka asnjë të dhënë që dikush ta kishte parë këtë ritual. Thuhej se ai ishte ndërprerë rreth 40- 50 vjet përpara se të mbërrinin spanjollët.

Versioni i dytë i historisë së origjinës së El Dorados daton në vitin 1541, rreth 20 vjet pasi Kortez pushtoi Aztekët dhe 8 vjet pasi perandori inkas Atahualpa ishte vrarë nga Francisko Pizarro. Deri në atë moment, spanjollët nuk kishin depërtuar ende në pjesën më të madhe të kontinentit, pra pjesa më e madhe e territorit ishte ende e pa eksploruar nga evropianët.

Versioni i vitit 1541 gjendet në shkrimet e një konkuistadorit Gonzalo de Oviedo, dhe ngjarjet zhvillohet në Kuito në Ekuadorin Verior. Në atë kohë, ky territor u pushtua rishtazi si pjesë e shkatërrimit të perandorisë inkase nga spanjollët. Sipas Oviedos, El Dorado ishte një “Zot ose monark i madh, që ishte vazhdimisht i mbuluar me ar në formën e pluhurit të imët si kripa e bluar”.

Në shkurtin e apo atij viti, një tjetër konkuistador spanjoll i quajtur Gonzales Pizarro grumbulloi disa njerëzh dhe u nis nga Kuito, Ekuador, në kërkim të tokës së mbretit mitik El Dorado. Në rrëfimet e tij për aventurën e tij, Pizarro e përshkruan El Doradon si një liqen, dhe jo një njeri.

Një burim i tretë i kohës, kronisti Pedro de Leon, duke përshkruar të njëjtën ekspeditë, e cilëson El Dorado një luginë. Pizarro udhëtoi drejt lindjes me disa qindra njerëz (burimet flasin për 220-340 burra) dhe 4000 shërbëtorë vendas.

Ata mbaheshin të lidhur në zinxhirë dhe me pranga, së bashku me kuaj, lama, rreth 2000 derra, dhe po aq qen gjuetie. Pizarro priste të gjente shumë shpejt një qytetërim të ri, së bashku me fusha të punuara, fshatra dhe qytete. Por edhe pse marshoi për javë e muaj nëpër errësirën e pyllit tropikal dh në kulmin e sezonin të shirave, nëpër male, këneta dhe lumenj, ai nuk u përball me asgjë tjetër përveçse vështirësi, zi buke dhe mjerim.

Gjatë atij udhëtimi, spanjollët i kapën banorët vendas dhe i morën në pyetje. Kur ata nuk jepnin përgjigjet që donte Pizarro, u torturuan. Me afrimin e fundit të vitit, gjërat mbërritën në një pikë dëshpëruese. Të gjithë derrat kishin ngordhur.

Ata kishin mbërritur në një lumë të madh, me shumë mundësi Koka, në jug të ekuatorit në atë që është sot Ekuadori Verior. Atje, një kryetar fisi lokal i quajtur Delikola, pasi kishte dëgjuar për mizoritë e spanjollëve ndaj atyre që kishin marrë në pyetje, u tha atyre atë që donin të dëgjonin.

Ai foli për “popullsi shumë të mëdha më tej poshtë lumit”, dhe për “rajone shumë të pasura plot me padronë të fuqishëm”. Pizarro urdhëroi të ndërtohej një varkë; që do të transportonte njerëz dhe materiale në drejtim të rrymës, ndërsa njerëzit dhe kuajt rrugëtuan përgjatë bregut.

Ata vazhduan të ecnin në këtë mënyrë për 43 ditë, por gjetën pak ushqim dhe nuk ndeshën asnjë njeri. Në dhjetor 1541, një nga njerëzit e Pizarros, Francisko de Orelana, doli vullnetar të merrte varkën dhe rreth 50 burra për të gjetur ushqim dhe për t’u kthyer.

Orelana gjeti ushqim, por nuk u kthye. Ai bashkë më njerëzit që e shoqëronin zbuluan Amazonën, të cilën e njohën si Maranon. Ata përshkruan për muaj të tërë gjithë gjatësinë e tij duke arritur në bregun e oqeanit Atlantik më 26 gusht 1542. Orelana pretendoi se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vazhdonte përpara.

Pizarro e quajti tradhti aktin e tij. Ai u rikthye me njerëzit e tij të mbetur në Kuito. Rrugës ata hëngrën qentë dhe kuajt e mbetur, madje zienë dhe hëngrën dhe lëkurës e shalës së kuajve. Mbërritën të raskapitur në Kuito në muajin qershor. Ajo e Pizarros ishte përpjekja e parë e qartë për të gjetur El Doradon.

Por sapo u përhap kjo histori, më shumë konkuistadorë u nisën në kërkim të saj. Veç spanjollëve pati edhe holandezë, flamandë, gjermanë, italianë, shqiptarë, anglezë, skocezë etj. Nga gjithë ata gjatë viteve 1530 më të spikaturit ishin gjermanët.

Kjo sepse në vitin 1528, mbreti spanjoll Karli V i detyrohej familjes bankare Velser të Augsburgut një shumë prej 143.000 florinash. Në pamundësi për të paguar, Karli u dha leje të kryenin kërkime në provincën e Venezuelës, duke vendosur një taksë prej 20 për qind mbi thesarin e gjetur, dhe po ashtu mbi skllevërit,një marrëveshje që vazhdoi deri në vitin 1546.

Ajo e Federman ishte vetëm njëra nga disa ekspedita të udhëhequra nga gjermanët në atë periudhë. Eksplorues të tjerë gjermanë ishin Georg Hohermut dhe Filip von Huten. Një nga ekspeditat e para nën drejtimin e Ambrozius Ehinger, mblodhi rreth 184 kilogramë ar, kryesisht përmes zhvatjes dhe dhunës ndaj vendasve.

Kjo i kushtoi jetën pothuajse të gjithë njerëzve të përfshirëve në atë ekspeditë, përfshirë vetë Ehinger. Kur të mbijetuarit u kthyen në Koro, kryeqytetin e Venezuelës, pas 2 vitesh, ata zbuluan se e kishin varrosur thesarin nën një pemë. Por ai nuk e gjet më kurrë./LiveScience – Bota.al

spot_img

Te fundit

112,000FansaPëlqeje
189,000NdjekësitNdjek
18,000NdjekësitNdjek
66,000AbonentëAbonohu
spot_img

Related articles