Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë sot vendimin për masën e sigurisë ndaj artistit Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti. Pas dëgjimit të palëve, gjykata ka vendosur t’i caktojë atij masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Sipas njoftimit zyrtar nga Departamenti i Përgjithshëm, ky vendim erdhi pas kërkesës së bërë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ndaj të pandehurit rëndojnë dyshimet e bazuara për veprat penale të kanosjes, dëmtimit të pasurisë, si dhe mbajtjes në pronësi apo kontroll të paautorizuar të armëve.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas analizimit të detajuar të shkresave të lëndës, e vlerësoi kërkesën e prokurorisë si të drejtë dhe të bazuar. Gjykata konstatoi se caktimi i paraburgimit është aktualisht masa më adekuate për të garantuar rrjedhën e papenguar të procedurë.
Në arsyetimin e vendimit, theksohet se ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, mundësinë e ndikimit tek dëshmitarët, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës. Për këto arsye, kjo masë u pa si e vetmja zgjidhje në këtë fazë të hetimit.
Megjithatë, mbrojtja e artistit ka ende rrugë ligjore në dispozicion. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Prive By Liberta Spahiu

