*Mbështetje ekonomike dhe sociale për gratë kryefamiljare dhe familjet me asistencë*
Fëmijët nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe nëna kryefamiljare në qarkun e Elbasanit u mblodhën së bashku për festat e fundvitit.
Aktiviteti, i organizuar me rastin e festave të fundvitit, nuk ishte vetëm një moment gëzimi për fëmijët, por edhe një hapësirë dialogu dhe informimi për gratë kryefamiljare. E pranishme në këtë takim, deputetja e qarkut Elbasan, Sara Mila, theksoi se do të jetë pranë këtyre familjeve për çdo lloj mbështetjeje që u nevojitet, veçanërisht për t’i ndihmuar të dalin nga skema e ndihmës ekonomike përmes punësimit dhe trajnimit profesional.
“Ne do të jemi gjithmonë pranë për t’ju ndihmuar. Edhe sot, pavarësisht se është një ditë feste, do të kemi mundësinë të ulemi dhe të shohim të gjitha alternativat që ofron zyra e punës, qoftë për punësim, qoftë për trajnime profesionale. Nuk jam thjesht përfaqësuesja juaj në Parlamentin e Shqipërisë, jam njëra nga ju. Jam një nënë që punon fort, që përpiqet me shembullin e saj të rrisë një fëmijë të pavarur, sepse duhet të mësojmë të mbështetemi te forca jonë dhe te aftësitë tona”, u shpreh deputetja Mila.
Drejtoresha Zyra e Punës Elbasan, Marsida Hyseni, e pranishme në këtë takim ofroi informacion mbi të gjitha programet e mbështetjes dhe mekanizmat se si këto familje të munden të përfitojnë.
“Zyra e punës ofron programe të posaçme për nxitjen e punësimit për nënat që kanë kujdesin e fëmijëve, të të moshuarve apo familjarëve të tjerë dhe që nuk kanë mundësi të punojnë me orar të zgjatur. Këto programe ju ndihmojnë të paktën për një vit, për t’u integruar gradualisht në tregun e punës. Punësimi sot do të thotë siguri nesër, pension dhe pavarësi ekonomike”, theksoi Hyseni.

