Familja e Selin Bollati ka reaguar zyrtarisht pas situatave të tensionuara të krijuara në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, duke iu drejtuar Top Channel SH.A me një shkresë zyrtare, ku denoncon gjuhën fyese, shpifjet dhe sulmet personale të ushtruara ndaj saj.
Sipas familjes, pas Prime-it të fundit, situata ka vijuar në mënyrë të përsëritur edhe në ditët dhe orët pasuese, ku banori Rogert Sterkaj ka përdorur vazhdimisht gjuhë denigruese dhe akuza të pavërteta ndaj Selin Bollati, duke cënuar rëndë dinjitetin, integritetin dhe figurën e saj si grua dhe profesioniste.
Në deklaratë theksohet se janë bërë insinuata poshtëruese, përfshirë aludime për përfitime financiare përmes marrëdhënieve personale, si dhe është vënë në dyshim aftësia e saj profesionale si balerinë, në mënyrë fyese dhe të pabazuar. Gjithashtu, sipas familjes, janë ngritur akuza të pavërteta edhe ndaj produksionit, duke vënë në pikëpyetje korrektësinë dhe seriozitetin e programit.
Familja kërkon ndërhyrje institucionale dhe zbatimin e rregullores së Big Brother VIP, duke theksuar se këto veprime nuk përbëjnë lojë apo debat, por dhunë psikologjike dhe bullizim.

Deklarata e plotë e familjes së Selin Bollati:
“Familja e Selin Bollati ju drejtohet me këtë shkresë zyrtare lidhur me situatën e rëndë dhe të papranueshme të krijuar mbas Prime-it të kaluar në shtëpinë e Big Brother VIP, situatë e cila ka vijuar në mënyrë të përsëritur edhe në orët dhe ditët pasuese.
Gjatë kësaj periudhe, banori Rogert Sterkaj ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme gjuhë fyese, denigruese dhe shpifëse ndaj Selin Bollati, duke cënuar rëndë nderin, dinjitetin dhe integritetin e saj si grua dhe si profesioniste. Janë bërë akuza të pavërteta dhe insinuata me natyrë poshtëruese, përfshirë aludime për përfitime financiare nëpërmjet marrëdhënieve personale, si dhe është vënë në dyshim aftësia e saj profesionale si balerinë, në mënyrë fyese dhe të pabazuar.
Nga ana e të njëjtit banor janë ngritur gjithashtu akuza të pavërteta ndaj produksionit, duke pretenduar shkelje të rregullores nga ana e Selin Bollati, deklarata që dëmtojnë imazhin e saj dhe vënë në diskutim korrektësinë dhe seriozitetin e programit.
Këto veprime nuk përfaqësojnë debat apo lojë, por përbëjnë dhunë psikologjike, bullizim dhe cenim të rëndë të dinjitetit njerëzor, në kundërshtim me parimet dhe rregulloren e Big Brother VIP.
Ne kërkojmë që kjo situatë të trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe të merren masat përkatëse sipas rregullores së programit, për të ndalur gjuhën denigruese, shpifje dhe sulme personale që tejkalojnë kufijtë e lejuar.
Me respekt,
Familja e Selin Bollati.”

