Këngëtarja Samanta Karavella ka ndarë një rrëfim personal dhe emocional gjatë një interviste në emisionin “Mirëmbrëma Yje”.
Artistja foli hapur për transformimin e madh që përjetoi në jetën e saj pasi u bë nënë për herë të parë. Ajo tregoi se ndryshimi ndodhi shumë shpejt, duke e përballur me një realitet krejt ndryshe nga ai që kishte imagjinuar më parë.
Karavella pranoi se fillimi i mëmësisë ishte më i vështirë nga sa e kishte menduar, veçanërisht për shkak të periudhës së vështirë emocionale pas lindjes. Sipas saj, në ato momente shpesh ndihej e humbur dhe pa ndjesinë e kohës, ndërsa përpiqej të përshtatej me rolin e ri si nënë.
Ajo theksoi gjithashtu se, ndonëse shpesh thuhet se jeta e baballarëve nuk ndryshon shumë pas ardhjes në jetë të një fëmije, për të gjithçka mori një drejtim krejt tjetër, si në jetën personale ashtu edhe në atë artistike.
“Ndryshimi i jetës sime brenda 24 orëve, ishte një transformim shumë i madh. Nuk e dija çfarë më priste. Kisha dëgjuar shumë që jeta të ndryshon, por nuk e kupton deri në momentin që e provon. Nuk kisha sensin e kohës, nuk e dija më kush isha, shikoja një fëmijë që ishte gjëja më e bukur në botë dhe në një farë mënyre nuk dija se çfarë do të bëja dhe se si do ia dilja mbanë. Sepse ishim vetëm ne të dy, është fëmija i parë dhe vështirësitë priteshin që të ishin të mëdha.
E gjetëm forcën të dy, mësuam të dy padiskutim, por nuk është vetëm kaq. Jeta ime ndryshoi! Thuhet që jeta e baballarëve nuk ndryshon sepse ata zgjohen dhe shkojnë në punë, ama jeta ime ndryshoi plotësisht sidomos si artiste. Postpartum ishte më i fortë se unë, më mundte çdo ditë.
Punoja shumë me veten time, i flisja vetes time që “kjo është kalimtare, do ia dal mbanë, nuk është kaq e vështirë sa është tani, do të mësohem”, por ishte hera e parë në jetë që realisht kuptova që kjo gjë ishte shumë më e fortë se unë, ndoshta një nga eksperiencat e mia në jetë më të vështira që kam bërë. Çdo gjë që unë kam bërë më parë më duket më e lehtë tani. Herë-herë më duket sikur e kam vrarë mendjen për gjëra qesharake”, tha këngëtarja.

