Kur bëhet fjalë për tradhtinë, reagimet dhe kufijtë ndryshojnë nga një person te tjetri. Disa e konsiderojnë tradhti vetëm një raport fizik, ndërsa për të tjerë edhe afrimiteti emocional apo mendimet për dikë tjetër mund të cenojnë një marrëdhënie.
Sipas interpretimeve astrologjike, edhe shenja e horoskopit mund të tregojë mënyrën se si një person sillet kur tundimi shfaqet në një marrëdhënie.
Dashi
Dashit i pëlqejnë aventurat dhe përvojat e reja. Pikërisht kërkimi i emocioneve dhe spontaniteti mund ta bëjnë më të prirur për të marrë vendime të nxituara edhe në dashuri.
Demi
Demi konsiderohet ndër shenjat që kërkojnë më shumë stabilitet në një marrëdhënie. Nëse interesi i tij zhvendoset te një person tjetër, sipas astrologjisë kjo mund të jetë shenjë se ndjenjat për partnerin aktual kanë ndryshuar.
Binjakët
Për Binjakët, tundimi mund të lindë brenda rrethit të tyre shoqëror. Duke qenë komunikues dhe të rrethuar nga njerëz, afrimiteti me një person të njohur mund të kalojë gradualisht kufijtë e miqësisë.
Gaforrja
Edhe pse njihet si shenjë emocionale dhe e lidhur fort me partnerin, Gaforrja mund të fillojë të kërkojë diku tjetër atë që mendon se i mungon në marrëdhënien aktuale. Emocionet e bëjnë gjithashtu të vështirë që një situatë e tillë të mbahet e fshehtë për shumë gjatë.
Luani
Luani nuk është ndër shenjat që kërkon domosdoshmërisht marrëdhënie paralele. Një nga arsyet është se nuk i pëlqejnë komplikimet dhe konfliktet që mund të pasojnë. Megjithatë, nevoja për vëmendje dhe vlerësim mund të krijojë tundime.
Virgjëresha
Virgjëresha është e kujdesshme dhe analitike, ndaj edhe kur diçka nuk shkon në marrëdhënie mund të mos e tregojë menjëherë. Në interpretimet astrologjike, kjo aftësi për të kontrolluar detajet mund ta bëjë më të vështirë zbulimin e një afrimiteti të fshehtë.
Peshorja
Peshoret kërkojnë harmoni, por njëkohësisht tërhiqen nga vëmendja dhe flirtimi. Nëse nuk ndihen të plotësuara në marrëdhënie, mund të krijojnë afrimitet me dikë tjetër përpara se të kenë zgjidhur raportin ekzistues.
Akrepi
Pavarësisht reputacionit për pasion, Akrepi i merr marrëdhëniet seriozisht dhe kërkon besnikëri. Tradhtia nuk është diçka që e kalon lehtë dhe, nëse vetë kalon kufijtë e marrëdhënies, mund ta përjetojë me ndjenjë të fortë faji.
Shigjetari
Dashuria për lirinë dhe aventurën mund ta vendosë Shigjetarin përballë tundimeve. Rutina është një nga gjërat që e lodh më shpejt, ndaj kërkimi i eksperiencave të reja mund të krijojë probleme në një marrëdhënie të qëndrueshme.
Bricjapi
Sipas këtyre interpretimeve, Bricjapi mund të bëjë një ndarje të fortë mes ndjenjave dhe tërheqjes fizike. Kjo do të thotë se mund të vazhdojë të ketë ndjenja për partnerin, por njëkohësisht të tundohet nga një raport tjetër.
Ujori
Për Ujorin, tradhtia mund të nisë më shumë në planin emocional ose mendor sesa atë fizik. Mund të tërhiqet dhe të krijojë ndjenja për dikë tjetër, edhe pa e kthyer domosdoshmërisht këtë afërsi në një marrëdhënie fizike.
Peshqit
Peshqit janë emocionalë, por mund të jenë edhe shumë të rezervuar për atë që ndodh brenda tyre. Nëse krijojnë një raport tjetër, sipas astrologjisë mund të përpiqen ta mbajnë atë larg vëmendjes së partnerit.
Sigurisht, besnikëria apo tradhtia nuk përcaktohen nga shenja e horoskopit. Këto janë interpretime astrologjike për argëtim, ndërsa sjellja në një marrëdhënie varet nga karakteri, zgjedhjet dhe rrethanat e secilit person.
