Pas reshjeve të dendura të shiut, që shkaktuan shumë probleme në disa akse rrugore nacionale dhe rurale, moti ka ndryshuar duke i hapur rrugë dëborës.
Gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm, malet janë mbuluar me dëborë në lartësinë 500 metra mbi nivelin e detit, e shoqëruar me temperatura të ulëta.
Reshje dëborë ka pasur edhe në zonat minerare, kryesisht në Zonën D, Martanesh dhe Tërnovë, ku punojnë minatorët. Aktualisht nuk raportohet për ndonjë problematikë në fshatrat e zonave të thella. Reshje dëborë në lartësinë 1000 metra mbi nivelin e detit ka edhe në Dibër dhe Mat.
Edhe qarku i Korçës ka regjistruar sot reshjet e para të borës në zonat malore, duke përfshirë Dardhën, Vithkuqin dhe Shtyllën në lartësinë 1000 metra mbi nivelin e detit.
Sipas informacioneve nga terreni, në Dardhë borë ka filluar nga Km 9, ndërsa kontraktorët janë duke punuar për mirëmbajtjen e rrugës. Aktualisht, reshjet janë të lehta dhe qarkullimi i automjeteve zhvillohet normalisht, pa probleme të raportuara.


