IQOS është gjithnjë e më i pranishëm në tregun shqiptar. Pajisja e duhanit të ngrohur, që shitet si një alternativë “më e pastër” se cigaret, po promovohet çdo ditë në rrjete sociale, qendra tregtare dhe evente publike. E gjitha kjo, në shkelje të hapur të ligjit shqiptar, që ndalon rreptësisht reklamimin e çdo produkti që përmban duhan.
Neni 13 i ligjit shqiptar: reklama ndalohet, pa asnjë përjashtim
Ligji nr. 9636, datë 6.11.2006 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i ndryshuar me ligjin nr. 92/2024, datë 26.7.2024, përcakton qartë ndalimin e plotë të reklamës dhe promovimit të produkteve të duhanit, përfshirë edhe pajisjet elektronike si IQOS.
Neni 13 – “Ndalimi i reklamës, promovimit dhe sponsorizimit të produkteve të duhanit”:
“1. Për duhanin, produktet e duhanit dhe pajisjet për përdorimin e tyre, sipas përkufizimeve të këtij ligji, ndalohet:
a) reklamimi dhe promovimi në medien e shkruar, transmetimet televizive e radiofonike dhe shërbimet e shoqërisë së informacionit;
b) çdo lloj forme tjetër reklamimi, përfshirë promocionin indirekt përmes ngjyrave që përfaqësojnë logot/stemat e kompanive ose promocionin nëpërmjet ekspozimit të produkteve që imitojnë paketimin e jashtëm;
c) për qëllime reklamimi apo promovimi, botimi i fotografive, vizatimeve etj., në të cilat shfaqen persona apo imazhe që krijojnë përshtypje të gabuar te publiku;
ç) çdo aktivitet publik me karakter artistik, muzikor, sportiv, etj., ku reklamohet drejtpërdrejt, në mënyrë të tërthortë apo të fshehtë, me financim publik apo privat.”**
“2. Nuk përbëjnë reklamim librat teknikë, revistat dhe botimet profesionale për duhanin.”
Realiteti në Shqipëri: shkelje e përditshme, zero ndërhyrje
Pavarësisht këtij ndalimi të prerë, IQOS promovohet lirshëm përmes:
- Influencuesve në Instagram e TikTok;
- Stendave me logo dhe dizajn të markës në qendra tregtare;
- Fotografive të publikuara nga persona publikë me produktin në dorë;
- Sponsorimeve në evente muzikore apo artistike me audiencë të re.
Institucionet përgjegjëse – Ministria e Shëndetësisë, ISHP, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit – nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për zbatimin e nenit 13. Ligji shkelet publikisht. Institucionet heshtin.
Reagimi i deputetit Erion Braçe: “Ndërhyni! Po i jepni helm të rinisë”
Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar publikisht dhe ashpër për reklamimin e lirë të produkteve të duhanit të ngrohur IQOS dhe produkteve të tjera si SNUS. Në një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar autoriteteve, Braçe ka theksuar:
“Reklamimi i IQOS dhe SNUS është i ndaluar me ligj dhe duhet ndërprerë menjëherë! Këto produkte janë helm për shëndetin dhe po i jepni rinisë sonë një armik të maskuar. Autoritetet duhet të ndërhyjnë urgjentisht dhe të zbatojnë ligjin, jo të heshtin!”
Ky reagim vjen në një kohë kur reklama dhe promovimi i këtyre produkteve vijojnë pa kontroll, ndërkohë që institucionet përgjegjëse qëndrojnë të heshtura.
OBSH: “IQOS është i rrezikshëm dhe nuk është alternativë e sigurt”
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), produktet e ngrohura të duhanit nuk janë të sigurta dhe nuk duhet të paraqiten si produkte për ndihmë në ndalimin e duhanit.
Në një deklaratë zyrtare, OBSH thekson:
“Produktet e ngrohura të duhanit çlirojnë nikotinë dhe kimikate të tjera të dëmshme, shumë prej të cilave janë kancerogjene. Nuk ka asnjë provë të mjaftueshme që këto produkte janë më pak të dëmshme se cigaret tradicionale.”
Studimet ndërkombëtare kanë evidentuar:
- Rrezik të rritur për sëmundje të zemrës dhe mushkërive;
- Nivele të ngjashme varësie si cigaret klasike;
- Efekte të dëmshme për përdoruesit pasivë;
- Shpërndarje agresive te të rinjtë, nëpërmjet reklamës indirekte.
Shqipëria po bëhet terren i lirë për industrinë e duhanit
Ndërsa vende si Franca, Belgjika dhe Irlanda kanë ndaluar reklamimin dhe promovimin e IQOS-it, në Shqipëri këto produkte shiten dhe reklamohen si aksesorë lifestyle, pa asnjë etiketë paralajmëruese, pa kufizim moshe dhe pa transparencë për përbërësit.
Ky realitet është pasojë direkte e mungesës së zbatimit të ligjit, që në vend të mbrojë qytetarin, i hap rrugën industrisë që përfiton mbi shëndetin publik.
Ligji është, por nuk ka kush ta zbatojë
Kur një produkt që përmban duhan promovohet hapur, në shkelje të një ligji të qartë siç është neni 13, dhe institucionet nuk reagojnë, kemi të bëjmë jo vetëm me një dështim zbatimi, por me bashkëfajësi përmes heshtjes.
Ligji flet. Shëndeti rrezikohet. Institucionet heshtin.
Dhe ndërkohë, një brez i tërë rritet me idenë se nikotina është moderne, sepse askush nuk po i thotë të kundërtën.
Vip-Magazine.al