“U ndjeva tmerrësisht keq kur mësova se partneri im kishte një lidhje me një grua tjetër gjatë kohës që isha shtatzënë me fëmijën e dytë”,- kështu e nis rrëfimin për “Dear Deidre” të “The Sun” një 30-vjeçare.
Ajo tregon se si gruaja me të cilën partneri e tradhtonte, e kontaktoi për t’i rrëfyer gjithçka. Ja rrëfimi i plotë:
“Gjithmonë kisha dyshimet e mia për këtë, por gjithçka u konfirmua javën e kaluar kur gruaja me të cilën ai më tradhtoi, më dërgoi një mesazh. Ajo më kërkoi që të flisnim bashkë.
U ndjeva e shkatërruar kur më tha se kishte muaj të tërë që flinte me partnerin tim. Tradhtia filloi pasi unë ngela shtatzënë me fëmijën tonë. Në atë kohë, vura re se ai u largua dhe dukej se nuk donte të bënte më seks me mua.
Isha e shqetësuar se ai nuk më donte më, por më tha se ishte në ankth mos dëmtonte foshnjën që po rritej. Vura re që kalonte shumë kohë në mediat sociale, ku fliste me një grua për të cilën më tha se ishte thjesht një shoqe nga puna.
Më tha se ajo kishte probleme në shtëpi dhe kishte nevojë për mbështetje, por shtoi se asgjë nuk ka ndodhur mes tyre. Tani kam mësuar se gjithçka ishte një gënjeshtër. Ajo nuk ishte në depresion. Ata kishin një lidhje.
Gjatë gjithë kohës ai i tha asaj të njëjtat gënjeshtra që më tha mua. I kishte thënë se unë isha në depresion dhe se mendoja të vetëvritesha. Ai i dha fund lidhjes me të javën e kaluar dhe ky ishte momenti kur ajo më kontaktoi për të më thënë se partneri më kishte tradhtuar.
Ajo është 28 vjeç, unë jam 30 vjeç dhe ai është 32 vjeç. Ne kemi qenë së bashku për pesë vjet dhe kemi një djalë 18 muajsh. Marrëdhënia ime me partnerin ka qenë përgjithësisht e mirë, dhe ai është një baba i mrekullueshëm.
Por nuk di se çfarë t’i them, ose nëse mund ta fal ndonjëherë, ose nëse mund t’i besoj sërish. Ai është padyshim një gënjeshtar shumë i mirë, i cili nuk kujdeset për gratë që lëndon”.
“Dear Deidre” thotë:
“Të dëgjosh një lajm të tillë nga gruaja me të cilën partneri të ka tradhtuar, është diçka shumë e vështirë. Fakti që keni qenë shtatzënë kur morët vesh se ai ju tradhtonte, e ka bërë edhe më të rëndë situatën.
Tani që e keni kuptuar se ai është një gënjeshtar shumë i mirë, keni filluar të lodheni. Nëse ish e dashura e tij nuk do t’ju kontaktonte, me shuëm mundësi kurrë nuk do ta kishit mësuar të vërtetën.
Tani duhet të mendoni nëse doni të rindërtoni marrëdhënien dhe besimin ndaj njëri-tjetrit, apo t’i jepni fund gjithçkaje. Ju duhet të flisni me partnerin dhe t’i kërkoni të jetë i sinqertë me ju, të paktën për një herë të vetme. Pyesni veten, a dëshiron ai vërtet që marrëdhënia juaj të funksionojë?”.