Përfaqësuesja shqiptare e futbollit luan sot një ndeshje shumë të rëndësishme përballë Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022. Një fitore ndaj polakëve i hap rrugën Shqipërisë për play-off, duke afruar një hap më shumë me një ëndërr siç është ajo e pjesëmarrjes në Katar 2022.
Si pasojë e mungesave të rëndësishme në rreshtim për shkak dëmtimesh, pezullimesh e COVID, Shqipëria vjen e cunguar dhe me shumë ndryshime në formacion. Trajneri Reja si fillim ka bërë zgjedhjen e pritshme në prapavijë me Veselin në vend të Gjimshitit.
Ndërkohë, në mesfushë është Ramadani që luan në vend të Gjasulës dhe në mënyrë të papritur është Roshi që luan në mesfushë në vend të Bajramit. Në sulm është dyshja Uzuni-Manaj, me Brojën që përfundon përsëri në stolin e rezervave.