Avokati Idajet Beqiri ka rrëfyer të tjera detaje nga vrasja e Azem Hajdarit. Ai është avokat i Izet Haxhisë dhe përmes një tjetër shkrimi në gazetën “SOT”, ka rrëfyer se ku ndodhej klienti i tij para ngjarjes, lëvizjet e Berishës dhe atë se çfarë ndodhi në spital me truprojën e Hajdarit.
(Vijon nga shkrimi i kaluar)
Vizita e Berishës në spital
…Sali Berisha u vu në dijeni të ardhjes dhe të qëndrimit pranë selisë së PD-së të Fatmir Haklajt dhe të Jaho Mulosmanit disa orë para ngjarjes. Pikërisht, në momentin që ai u vu në dijeni të këtij “dislokimi” në makinën me targa të Vlorës të këtyre personave, kanë filluar telefonatat e tij në numrin e telefonit që kishte në përdorim Azem Hajdari. Sikurse theksuam, Azem Hajdari kishte në përdorim një telefon të markës “Erikson”, i cili ishte i regjistruar në emrin e një mikes së tij të quajtur Majlinda Popoviç. I kërkuam gjykatës që ta thërriste si dëshmitare Majlinda Popoviçin, e cila banonte në një fshat të Shkodrës. Mirëpo pas kërkimeve të saj, u konfirmua se ajo nuk ishte më gjallë!
Nuk mund të themi pse Sali Berisha e mori në telefon Azem Hajdarin, as se çfarë kanë biseduar ata. Por logjika më minimale, e veshur dhe e mbështetur në disa prova direkte dhe indirekte, të çojnë në atë që Sali Berisha e përpunoi në kokën e tij të mbrapshtë atë që dëshironte dhe që kërkonte me ngulm të realizonte, pikërisht në këtë në momentin që u vu në dijeni se cilët persona po qëndronin të dislokuar pranë selisë së PD-së. Berisha, posaçërisht pas rrëzimit të turpshëm nga qeverisja në qershor 1997, bëri “kauz” për rrëzimin e qeverisë Nano, 6 të arrestuarit, udhëheqës të PD-së, duke organizuar protesta në Tiranë dhe në gjithë vendin. Por me këto protesta thuajse dështoi turpshëm, sepse në to nuk mblidheshin as 150-200 persona.
Rrëmbehen dy fëmijë shqiptarë në Spanjë, ja për kë ka dyshime të forta nëna e tyre(EMRAT+FOTO)
Në kushte normale, logjika më minimale, nuk do të arrinte të kuptonte përse Sali Berisha këtë ditë, domethënë në datën 12 shtator 1998 ndenji thuajse i ngujuar në zyrën e tij gjatë gjithë ditës, posaçërisht pasi mori vesh që pranë selisë së PD-së ndodhej Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani.
Nuk mund të shpjegohet dhe nuk mund të arsyetohet se përse një ish-President i Republikës dhe Kryetar i PD-së, opozitës së vetme të vendit, pasi u vu në dijeni për rrezikun, për ekzistencën e personave, të cilët ai i konsideronte armiq të tij, nuk veproi, së paku në nivelin e një qytetari të thjeshtë, duke njoftuar Policinë e Shtetit ose ministrin e Brendshëm! Pasi mbërriti në zyrat e PD-së Azem Hajdari, u thirr në zyrë prej Sali Berishës dhe, ky i fundit i tha që të dilte e të merrej vesh me ta! Sali Berisha i shmanget si djalli temjanit thirrjes para gjykatës për të dëshmuar, krahas dijenive të tij për fakte të tjera edhe këtë fakt, domethënë se përse nxori Azem Hajdarin të “merrej vesh” me Fatmir Haklajn dhe me Jaho Mulosmanin, në një kohë që edhe sikur Azem Hajdari të vepronte në kokën e vet dhe të dilte, duhet të ishte pikërisht Sali Berisha që do t’i thoshte atij që të njoftonte policinë për këtë dyshim dhe rrezik që ishte prezent për orë të tëra pranë selisë së PD-së. Fakti që Berisha, për ta larguar nga vetja rolin e “hijeksit” që bëri, duke e nxjerrë në pritë Azem Hajdarin, krijoi “alibinë” se gjoja Fisnik Sina, i cili ishte ditën e ngjarjes me Sali Berishën, i ka thënë Saliut një ditë pas ngjarjes se kishte hyrë në zyrën e Azem Hajdarit dhe i kishte thënë se para Selisë së PD-së ndodhej një makinë, brenda së cilës ka njerëz të dyshimtë të armatosur! Madje Sali Berisha vazhdon më tej “alibinë” e tij, duke thënë se në bisedën e datës 13 shtator 1998, një ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit, kanë ndarë të dy mendimin sesi kishte mundësi që Azem Hajdari kishte dalë nga zyra dhe kishte shkuar vetë te makina ku ndodheshin vrasësit, në vend që të dërgonte truprojat e tij! I kërkuam gjyqtarit Lazër Sallaku që të thërriste si dëshmitar Fisnik Sinën për të dëshmuar rreth këtij fakti me shumë rëndësi për ngjarjen, mirëpo ky gjyqtar e refuzoi këtë kërkesë të drejtë tonën si mbrojtës ligjor.
Këtë “alibi” Sali Berisha e ka paraqitur me shkrim në datën 16 korrik 1999 në adresë të Zotit Robert H. Frowik, i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë.
Deklarata e Berishës
Në këtë deklaratë Sali Berisha ka dhënë një informacion të rremë për ngjarjen e datës 12 shtator 1998. Mjafton të lexohet me vëmendje kjo deklaratë, për të vërtetuar faktin se Sali Berisha, jo vetëm që ishte në dijeni të një rreziku dhe të një krimi, i cili me shumë gjasa dilte qartë që nuk kishte në objektiv të tij Azem Hajdarin, por ai përpunoi, orkestroi, nxiti, nxori në pritë Azem Hajdarin dhe fshehu, me deklarimet e tij të pavërteta ngjarjen, duke e shfrytëzuar atë në maksimum për interesat e tij personale. Sali Berisha e lidhi këtë ngjarje me Fatos Nanon dhe me Fatos Klosin. Arriti deri aty sa të shmangë nga kjo vrasje Fatmir Haklajn, duke mos e zënë në gojë kurrë emrin e tij. I shkoi në spital Zenel Nezës, ish-truprojës së Azem Hajdarit, i cili po luftonte me vdekjen, dhe në prani të Ylli Rakipit i tha që të përmendte si “vrasës” të Azem Hajdarit, personin me uniformë të policisë, ish-Shefin e Krimeve në Tropojë, Jaho Mulosmani! Madje e këshilloi Zenel Nezën që nëse pyetej për ekzistencën në vendngjarje të Fatmir Haklajt, të thoshte se e njihte shumë mirë Fatmir Haklajn, por nuk e ka parë në vendin e ngjarjes dhe se ekzekutori ishte Jaho Mulosmani! Për fatin e keq, Zenel Neza, dëshmitari i vetëm okular i ngjarjes i mbetur gjallë edhe pasi me prova bindëse dhe të pakontestueshme u vërtetua se vrasësi i Azem Hajdarit ishte Fatmir Haklaj dhe se Jaho Mulosmani e ka penguar atë, duke thyer madje edhe gishtin e dorës, me qëllim që të mos e ekzekutonte Azem Hajdarin, para prokurores norvegjeze Siri S. Frigaard nuk ka lëvizur nga “istikami” ku e vendosi Sali Berisha, ka mbajtur përsëri qëndrimin e gënjeshtërt se gjoja ekzekutori i Azem Hajdarit ishte Jaho Mulosmani dhe se Fatmir Haklaj nuk ishte fare i pranishëm në vendin e ngjarjes! Mjafton ky fakt për të vërtetuar disa të vërteta të mëdha: E para, që Sali Berisha ishte i interesuari dhe përfituesi i vetëm nga vrasja e Azem Hajdarit; E dyta, që Sali Berisha, duke e ditur që, pas takimit të Muharrem Haklajt me Azem Hajdarin, si dhe pas sigurimit të provës audio-video ku dilte se cili ishte urdhëruesi i vrasjes së Shkëlqim Haklajt, radha për hakmarrje mbetej te Sali Berisha; E treta, që duke i njohur mirë familjen Haklaj, vlerësoi se duke mos thënë të vërtetën e kësaj ngjarje, do të zbuste sadopak situatën dhe raportet me këtë familje, duke u dhënë të kuptonin se ai, Sali Berisha, nuk kishte asnjë problem, mllef apo qejfmbetje hakmarrëse primitive ndaj Familjes Haklaj… Leximi i deklaratës së firmosur nga Sali Berisha, dërguar në datën 16 korrik 1999 në adresë të Zotit Robert H. Frowik, i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, faksimilen e së cilës e bëjmë pjesë përbërëse të këtij shkrimi, të vlerësohet nga cilido i interesuar për të vërtetën e ngjarjes dhe pse Sali Berisha është hedhur degë me degë me lloje lloje insinuatash të pavërteta për këtë vrasje të rëndë politike.
Roli i Izet Haxhisë
Po cili është roli i Izet Haxhisë dhe çfarë e lidh atë me këtë ngjarje? Mbi çfarë fakte e prova u konsiderua ai si “bashkëpunëtor në formën e ndihmësit” me një vendim gjyqësor të mëparshëm, vendim i cili u hodh poshtë dhe çështja po rigjykohet? Kush ishte dhe është i interesuar për të dënuar Izet Haxhinë, megjithëse janë të bindur që ai nuk ka asnjë lidhje me këtë vrasje?
Izet Haxhia pasi PD doli në opozitë në vitin 1997 e ka shoqëruar disa herë në takimet që bënte Azem Hajdari me simpatizantë të kësaj partie në rrethe. Një ditë para se të vritej Shkëlqim Haklaj, në Qafë Luzhë, plotë 6 muaj nga urdhri i Berishës për vrasjen e tij në mitingun e Tropojës, Azem Hajdari ishte në Fier. Përgatitën një takim që u zhvillua të nesërmen, në datën 5 janar 1998 me strukturat e PD-së dhe disa simpatizantë të saj në Fier. Izet Haxhia ishte së bashku me Sali Lushën në pritje të mbarimit të këtij takimi. Në radio kanë dëgjuar që në Qafë Luzhë kanë vrarë Shkëlqim Haklajn. Janë tronditur shumë dhe kanë hyrë menjëherë në sallën ku zhvillohej ky takim. Kanë vënë në dijeni Azem Hajdarin për sa kishin dëgjuar në radio. Azem Hajdari këtë lajm, sipas Izet Haxhisë, e priti i qetë dhe fjalët e vetme që tha ishin “çfarë kanë dashur atje”?! Izet Haxhia, si njohës i mirë i situatës në Tropojë, është shqetësuar shumë prej kësaj vrasje dhe i ka thënë Azem Hajdarit se kjo ngjarje, nga kushdo që të jetë organizuar dhe kryer, do të ketë pasoja shumë të rënda. Azem Hajdari ishte i pari dhe i vetmi nga udhëheqja e PD-së, i cili menjëherë i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes Haklaj. Izet Haxhia ka shkuar për ngushëllim në Tropojë, në familjen Haklaj. Në këtë ngushëllim, meqenëse familjarët e të ndjerit Shkëlqim Haklaj kishin të pranishëm në ngushëllim bodigardin e Sali Berishës, pra Izet Haxhinë, posaçërisht Muharrem Haklaj, Hamdi Haklaj dhe vëllai i vogël i Shkëlqimit, Ylli Haklaj, i kanë thënë me zë të fortë se vrasësit e Shkëlqim Haklajt janë PD, Sali Berisha dhe Azem Hajdari. Izet Haxhia ka mbrojtur pas këtyre fjalëve të Familjes Haklaj si Sali Berishën, ashtu dhe Azem Hajdarin. Kur është kthyer në Tiranë, i ka vënë në dijeni si Azemin dhe Saliun për çfarë kishin thënë të revoltuar dhe të vendosur familjarët e Shkëlqim Haklaj, të cilët si vrasës stigmatizonin PD, Sali Berishën dhe Azem Hajdarin. Pak ditë pasi Izet Haxhia kishte qënë për ngushëllim në Familjen Haklaj në Tropojë, në rrugë konfidenciale, por edhe në funksion të detyrës që kryente në PD pranë Sali Berishës dhe Azem Hajdarit, mësoi se Ylli Haklaj, Feriz Kërnaja dhe disa persona të tjerë, ishin dislokuar në Nikël të Krujës. Izet Haxhia, duke dyshuar për këtë dislokim, i ka shkuar në zyrë Azem Hajdarit dhe i ka bërë me dije këtë informacion që kishte. Azem Hajdari i ka kërkuar Izet Haxhisë ndihmë për t’i gjetur një makinë të blinduar. Një makinë të blinduar “Lançia” e kishte Elvis Gjeçi. Izet Haxhia është takuar me Elvis Gjeçin dhe i është lutur që të shkëmbente makinën e tij “Lançia”, me JEEP-in ngjyrë jeshile që përdorte Azem Hajdari. Izet Haxhia në këtë kohë ishte nën masën e arrestit në shtëpi. Pavarësisht se ishte me këtë masë sigurimi, e shoqëronte Azem Hajdarin në të gjitha rrethet që ai shkonte për takime të ndryshme me elektoratin e PD-së. Në ngjarjen e ndodhur në Urën e Milotit, në 14 shkurt 1998, ndryshe nga sa e deformoi atë Sali Berisha për mediat dhe Ambasadën Amerikane, prita e Policisë së Shtetit dhe kontrolli i bërë në makinën e Azem Hajdarit, nuk kishte asnjë lidhje me këtë të fundit, por kishte të bënte me Izet Haxhinë, i cili edhe pse me masën e sigurisë arrest në shtëpi, e kishte thyer këtë masë duke shoqëruar këtë ditë Azem Hajdarin në Shkodër. Pas datës 14 shkurt 1998 Izet Haxhia nuk e ka shoqëruar më Azem Hajdarin. Në datën 1 qershor 1998 Izet Haxhia ishte në Tropojë pasi kishte përvjetorin e parë të vdekjes së vëllait të tij. Aty ka parë me sytë e tij dhe ka dëgjuar nga shumë burime të përgjegjshme se situata ishte dramatike, tepër shpërthyese, posaçërisht kundër PD-së dhe udhëheqësve kryesor të saj. Sapo është kthyer në Tiranë është takuar me vëllanë e Azem Hajdarit, të quajturin Sali Hajdari. Kanë qenë të pranishëm Lulëzim Sterka dhe Dem Dollapi. Izeti i ka thënë që të mos e lejonin Azemin të shkonte në Tropojë, sepse situata atje ndaj tij dhe ndaj Sali Berishës është vërtet tepër e rrezikshme. Vëllai i Azem Hajdarit, Saliu, i cili për hir të së vërtetës, siç pohon Izet Haxhia, ishte nën efektin e alkoolit, pasi kishte pirë shumë, i thotë: “Azemi dhe ne shkojmë ku të duam dhe nuk kemi frikë askënd”! Këtë fakt për situatën në Tropojë Izet Haxhia ia bëri me dije edhe Sali Berishës dhe të tjerëve në selinë e PD-së. Sali Berisha, në vend që ta ndalonte Azem Hajdarin për të shkuar në Tropojë në datën 3 qershor 1998, e nxiti atë, Vili Minarollin dhe Bardhyl Pollon që të shkonin domosdoshmërish! Në orën 22:30 të natës, kur Azem Hajdari, Vili Minarollin, Bardhyl Pollo etj., ndodheshin në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, u erdhi një telefonatë ultimatum se në rast se nuk largoheshin me urgjencë nga zyra e Bashkisë dhe nga Tropoja, një predhë kundër tank do hidhej mbi ta. Azem Hajdari dhe të tjerët dolën nga zyra dhe hipën në dy makina për të udhëtuar në drejtim të shtëpisë së tij në Bajram Curri. Në makinën e dytë ishte Azem Hajdari dhe Bardhyl Pollo. Makina e parë kaloi pa asnjë problem, ndërsa makinës ku ishte Azem Hajdari ju bë pritë dhe në drejtim të saj u derdhën 160 plumba. Mbeti i plagosur Bardhyl Pollo në të dyja këmbët.
Lidhja e Haxhisë me Haklajt
Po çfarë e lidhi pikërisht një ditë para ngjarjes, domethënë para vrasjes së Azem Hajdarit dhe ditën e vrasjes së tij Izet Haxhinë me Familjen Haklaj, posaçërisht me Halil dhe Fatmir Haklaj, me të cilët u takua dhe qëndroi disa orë në këto dy ditë së bashku me ta?! Çfarë di, çfarë ka parë dhe çfarë dëshmon Izet Haxhia për një ditë para ngjarjes dhe për ditën e vrasjes së Azem Hajdarit?! Ishte muaj korrik 1998. Izet Haxhia banonte me familjen e tij te Shkolla e Kuqe, në Tiranë. I shkon te shtëpia Halil Haklaj. Izeti e njihte mirë Halil Haklajn. Ai kishte dijeni që Familja Haklaj, ashtu si edhe vet Izet Haxhia, ishin të lidhur me lëvizjen për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Halil Haklaj punonte prej vitesh me veprimtar të shquar të Kosovës, të cilët punonin për çlirimin e Kosovës dhe për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Ai ishte në lidhje të ngushtë me Mentor Kaçin, një veprimtar i shquar i organizimit të rezistencës së armatosur në Kosovë, i cili qysh nga viti 1990 e më pas, siguronte dhe fuste armë nga Shqipëria në Kosovë, të cilat përdoreshin për aksione të ndryshme të armatosura kundër serbëve, si zanafilla e UÇK së mëvonshme. Halil Haklaj kishte krijuar grupin e vet të bashkëpunëtorëve në Shqipëri, të cilët grumbullonin armë për të furnizuar UÇK, e cila sapo ishte formësuar dhe rritej çdo ditë.
Vajtja e Halil Haklaj në shtëpinë e Izet Haxhisë kishte një qëllim. Halil Haklaj i kërkoi Izet Haxhisë që ta shoqëronte deri në Gramsh. Atje Halili kishte siguruar 20 automatikë me qytë metalike, të cilat i duheshin UÇK në Kosovë dhe Izeti duhet ta ndihmonte për t’i transportuar nga Gramshi në Tropojë. Izet Haxhia gjatë vitit 1998 ishte nën përgjimin e Shërbimit Informativ Shqiptar non stop gjatë 24 orëve të ditës. Për këtë shkak i thotë Halil Haklaj se e kishte të pamundur të përfshihej në këtë aksion pasi do të zbulohej menjëherë nga SHISH. Por Izet Haxhia i rekomandoi Halilit që këtë aksion atdhetar ta konkretizonte me vëllanë e tij Isamedin Haxhia, i cili nuk binte në sy pasi nuk ishte nën përgjim. Halil Haklaj e konsideroi shumë të logjikshme këtë arsyetim të Izet Haxhisë dhe i thotë atij që të fliste me Isamedinin, t’i thoshte qëllimin e shkuarjes në Gramsh dhe t’ia vinte në dispozicion Halilit. Izeti foli me Isamedinin dhe ky i fundit ra menjëherë dakord për ta realizuar këtë detyrë. Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhia janë nisur drejt Gramshit dhe pasi kanë siguruar armët, janë kapur në një prit që u ishte ngritur, duke u arrestuar të dy nga forcat e policisë në Elbasan. Janë mbyllur të dy në dhomat e paraburgimit në Elbasan, duke ju dhënë masa e sigurimit “arrest me burg për trafikim armësh”!
Gjatë kohës që Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhia ishin të dy në qelitë e paraburgimit në Elbasan, Izet Haxhia shkonte shumë shpesh dhe i takonte dhe u çonte ushqim të bollshëm.
Po kështu Izet Haxhia bëri përpjekje të mëdha në Gjykatë që të dilnin sa më parë në gjyq Halili dhe Isamedini, me arsyetimin logjik se ata armët i donin për UÇK, në të cilën Halil Haklaj ishte i angazhuar prej kohësh. Për fatin e keq, nga muaj korrik 1998, gjyqtarja e Gramshit e caktoi gjyqin në fundin e muajit nëntor 1998. Kjo për faktin se gjyqtarja e Gramshit do të shkonte për një specializim në Itali. Këtë situatë Izet Haxhia e konsideroi dramatike, sepse vëllai i tij, Isamedini dhe Halil Haklaj duhet të qëndronin në kushtet mizerabël të paraburgimit për plotë 5 muaj. Për këtë shkak Izet Haxhia vuri në dijeni familjen Haklaj në Tropojë.
Fatmir Haklaj, i revoltuar prej këtij akti, i cili iu duk me të drejtë antishqiptar, sepse Halili armët i donte për UÇK, kundër krimeve që bënte Serbia në Kosovë, organizon rrëmbimin dhe mbajtjen peng në Tropojë të përfaqësuesit të lartë të qeverisë Nano, Taulant Dedjen. U bëri të qartë autoriteteve të shtetit shqiptar që, nëse nuk afrohet data e gjyqit të Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhia, pengu nuk lëshohej. Me urgjencë ndërpreu pushimet gjyqtarja e Gramshit dhe caktoi si datë gjyqi 2 shtatorin 1998. Pas kësaj Taulant Dedja u la i lirë.
Takimi me Fatmir Haklajn
Nga ngjarja e Milotit dhe deri në fund të muajit gusht 1998 Izet Haxhia nuk ishte takuar asnjëherë me Azem Hajdarin. Ditën që u arrestuan 6 drejtuesit e PD-së, në Sallën ku po zhvillohej një konferencë për shtyp, Azem Hajdari është takuar me Izet Haxhinë dhe i ka thënë se do të gjenin një ditë për të pirë një kafe dhe për të biseduar disa gjëra të rëndësishme. Izeti i ka thënë që ishte në pritje të tij për këtë takim, domethënë kur t’i dërgonte fjalë Azemi, ai do paraqitej. Në datën 2 shtator 1998 u zhvillua gjyqi kundër Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhia. Për të ndjekur gjyqin kanë shkuar Izet Haxhia, Muharrem Haklaj, Ismet Haxhia, Jaho Mulosmani, Fatmir Meta dhe një njeriu i Sali Berishës, Sami Metalia. Gjykata e dënoi me kohën e paraburgimit Halil Haklaj, duke e liruar nga salla e gjyqit, ndërsa Isamedin Haxhia mori pafajësinë. Pas gjyqit Izet Haxhia u ka kërkuar leje për t’u larguar personave të tjerë që ndoqën gjyqin, sepse duhet të merrte pjesë në mitingun që PD-ja do të organizonte për arrestimin e 6 drejtuesve të PD-së. Halil Haklaj i ka thënë që të qëndronte me ta, për të festuar daljen nga burgu, duke i bërë madje “propagandë” që të hiqte dorë nga PD-ja! Po kështu, pasi e ka falenderuar për përkujdesjen dhe ndihmën e madhe dhe të pakursyer që i kishte dhënë atij gjatë qëndrimit në burg, duke e trajtuar njëlloj siç trajtonte vëllanë e vet, Isamedin Haxhia, i thotë që Fatmir Haklaj, i cili ndodhet në Tiranë, në shenjë mirënjohje për sa bëre, do të pijë një kafe me ty. Izet Haxhia, meqenëse po bëhej vonë për mitingun, i ka thënë që një herë tjetër ishte i gatshëm të takoheshin dhe të pinte një kafe me Fatmir Haklaj. Pra, marrëdhëniet e Izet Haxhisë me familjen Haklaj, posaçërisht me vëllezërit Hamdi, Halil, Shkëlqim e Fatmir Haklaj kanë qënë thuajse inekzistente, pasi vetë pozicioni i Izet Haxhisë pranë Sali Berishës, e bënte të pamundur ekzistencën e marrëdhënieve të tij me këtë familje. Izet Haxhia kishte pirë një kafe në këtë familje kur u vra Shkëlqim Haklaj, duke kryer kështu një rit zakonor dhe kaq! Marrëdhëniet e Izet Haxhisë me Muharrem Haklaj, Halil Haklaj dhe Fatmir Haklaj u përmirësuan posaçërisht pas burgosjes së Halilit dhe vëllait të Izetit, Isamedinit, të cilët patën një fat dhe Izet Haxhia bëri gjithçka që atyre t’u lehtësohej sadopak pozita e vështirë që ju krijua. Pranë shtëpisë së Izet Haxhisë, te “Shkolla e Kuqe”, është një kafe që quhet “Kafe Patës”. Në këtë lokal Izet Haxhia pinte shpesh kafe. Por në këtë kafe rrinte shpesh, kur ishte në Tiranë edhe Halil Haklaj. Izeti dhe Halili ishin takuar disa herë me njëri-tjetrin. Një ditë më parë se të vritej Azem Hajdari, domethënë në datën 11 shtator 1998, rreth orës 18:00, Izet Haxhia është takuar me Halil Haklajn te “Kafe Patës”. Halili i ka thënë Izetit se Fatmirit i ka mbetur merak për të pirë një kafe me të sepse dëshiron të shprehi mirënjohjen për sa bëre për mua në Burgun e Elbasanit. Meqenëse Fatmiri ka ardhur nga Tropoja dhe gjendet te motel “Murati” në Linzë, mund të shkojmë me makinën time deri atje dhe të kthej unë pastaj? Izeti i njihte dy pronarët e këtij moteli, Pëllumbin dhe Kleo Muratin dhe pranoi të shkonte. Kur kanë mbërritur te motel Murati, Izeti është takuar me Fatmir Haklajn. Kishte më shumë se 10 vjet që nuk e kishte parë Fatmir Haklajn. Fatmiri i ka shprehur gjithë mirënjohjen e tij Izetit. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Elez Haklaj, Hydajet Gjeçi, një polic nga Tropoja me emrin “Çel”, një person me emrin Naim Çangu, i cili kishte qënë shokë burgu me Feriz Kërnaja etj. Pasi kanë pirë kafe, Fatmir Haklaj i ka thënë Izetit: “Dua të takohem me Myftar Lymeshin dhe me Dem Dollapin. Më thanë që e vetmja mundësi takimi me ta është te Selia e PD-së. Mirëpo duke e ditur se si i kam unë marrëdhëniet me PD-në, nëse do të shkoj t’i kërkoj atje, do të krijohet ndonjë keqkuptim. A mundet t’u thuash atyre ti, Izet, që të vinë e të më takojnë sepse kam ardhur nga Tropoja?” Në këtë moment në tavolinë ka ardhur Jaho Mulosmani dhe i thotë Fatmirit të iknin me urgjencë sepse është duke të pritur personi që ke ardhur për të takuar. Kanë zbritur për në Tiranë. Izeti u ka thënë ta linin në Shkollën Pedagogjike, sepse do të shkonte te Selia e PD-së për të takuar Myftar Lymeshin dhe Dem Dollapin, për t’u thënë se i kërkonte Fatmir Haklaj. Për të qenë në lidhje, me qëllim që Izeti të takohej me këta dy persona dhe t’u thoshte se ku gjendej Fatmir Haklaj, ky i fundit i dha Izetit një radio ndërlidhje. Izet Haxhia qëndroi rreth 2 orë te Selia e PD-së, duke pritur ardhjen e Myftar Lymeshit dhe të Dem Dollapit. Pas dy orëve kanë ardhur te Selia e PD-së këta dy persona. Izet Haxhia i ka takuar, por në moment ka ndryshuar mëndje dhe ka vendosur të mos u thotë që i kërkonte në takim Fatmir Haklaj. Në këtë ndryshim qëndrimi, Izeti thotë se, pasi u mendua mirë, nuk ju duk miqësor ky takim dhe për të mos marrë ndonjë përgjegjësi, nëse takimi ishte jo qëllim mirë, nuk u tha asgjë Myftar Lymeshit dhe Dem Dollapit. Izet Haxhia u ul në një tavolinë aty te PD-ja së bashku me Genc Hotin, Kliton Dobranin dhe Ardi Grabovën. Më pas ka ardhur dhe është ulur në tavolinë edhe Dem Dollapi. Pasi i ka parë radion në dorë Izet Haxhisë, meqenëse e njohu se kush e përdorte atë, pasi siç theksuam Dem Dollapi kishte punuar dhe kishte qenë disa vite në shërbim të familjes Haklaj dhe posaçërisht “nën hyqmin” e Fatmir Haklaj, i ka thënë Izet Haxhisë: “Paskan ardhur këta miqtë”! Prej kësaj thënie Izet Haxhia ka kuptuar se Dem Dollapi e priste Fatmir Haklajn. Izet Haxhia bëri disa përpjekje të lidhej me radio me Fatmir Haklajn, por nuk mundi. Meqenëse kaluan më shumë se dy orë në pritje, Izet Haxhia është larguar për në shtëpinë e tij. E ka shoqëruar rrugës djali i xhaxhait të Azem Hajdarit, i quajturi Bimi i Zakes. Të nesërmen, më 12 shtator, pikërisht ditën që u vra Azem Hajdari, rreth orës 06:30 të mëngjesit, bije dera e jashtme e portës së shtëpisë së vjehrrit të Izet Haxhisë, ku banonte edhe Izeti. Ishte xhaxhai i bashkëshortes së Izet Haxhisë, i quajturi Dashamir Maçi. Ka dalë te porta Izet Haxhia dhe e ka pyetur përse kishte ardhur kaq herët.
Dashamir Maçi i tha që po të presin disa persona. Izeti ka menduar se mund të ishin Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani etj, të cilët kishin ardhur të merrnin radion. Është veshur dhe ka dalë nga shtëpia. Në rrugë ishin Fatmir dhe Halil Haklaj, Hydajet Gjeçaj, Elez Haklaj, Naim Çangu, polici i Tropojës me emrin Çel si dhe shoferi i fugonit të policisë Tropojë, Agim Logu. Pasi është takuar me ta, Izet Haxhia i ka dhënë radion Fatmir Haklajt dhe e ka vënë në dijeni se nuk i kishte takuar dot Myftar Lymeshin dhe Dem Dollapin. Fatmir Haklaj i kishte thënë se ata ishin bërë gati të ktheheshin në Tropojë dhe do të udhëtonin. Pasi është ndarë me ta, Izet Haxhia ka shkuar, si në të gjitha ditët e tjera, te Selia e PD-së, ku ka qëndruar deri në orën 16.30. Personat që ishin së bashku me të në Selinë e PD-së dhe që kanë qëndruar me të, derisa ai u largua në orën 16.30, ishin Sali Lusha, Ardi Grabova, Genc Hoti. Rreth orës së drekës të kësaj dite, Izet Haxhia është takuar edhe me vëllanë e tij Ismet Haxhia, i cili i ka thënë se po nisej për në Shkodër, në shtëpinë e motrës tonë, ku do të qëndronte këtë natë dhe të nesërmen do të kthehej në Tropojë. Rreth orës 17.00 Izet Haxhia ka mbërritur te shtëpia e tij, te Shkolla e Kuqe. Aty afër, ku është kafja që frekuentohej shpesh nga Halil Haklaj, është përballur me Jaho Mulosmanin dhe Halil Haklaj. Izet Haxhia u ka thënë se ju më thatë që do të nisemi në Tropojë, pse jeni akoma këtu. Halil Haklaj i ka thënë Izetit se Fatmiri takoi dikë mbrëmë, i cili do ta ndihmojë për çështjen e rikthimit në policinë e shtetit, dhe pret një përgjigje prej tij. Fatmirin, ka vazhduar Halil Haklaj, e kemi lënë te një lokal, në Kodrat e Liqenit dhe meqenëse dje nuk patët mundësi të rrinit pak më gjatë me Fatmirin, hajde me ne të pimë atje një kafe dhe pastaj ndahemi sepse sonte patjetër duhet të jemi në Tropojë. Kanë shkuar së bashku te Kodrat e Liqenit. Fatmir Haklaj ishte duke ngrënë në një restorant aty. E ka ftuar edhe Izetin të porosiste diçka për ngrënie. Izeti i ka thënë se kishte ngrënë mirë, veç do të pinte një kafe. Jaho Mulosmani, i cili drejtonte një autoveturë të tipit “Toyota”, gjatë kohës që ne ishim duke qëndruar së bashku te lokali në Kodrat e Liqenit, ka lëvizur dy herë me radhë, zbriste dhe ngjitej përsëri, duke u shoqëruar nga një person të cilin Izeti nuk e njihte, por më vonë e ka mësuar emrin e tij që quhej Astrit Muldaka. Pasi kanë qëndruar te ky lokal afro një orë e tridhjetë minuta, kanë zbritur nga Kodrat e Liqenit me makina të ndryshme. Izet Haxhia ka hipur te Fugoni i Policisë së Tropojës, të cilin e drejtonte Agim Logu, së bashku me Halil Haklaj dhe Elez Haklaj. Në autoveturën “Toyota” ishin Jaho Mulosmani, Fatmir Haklaj etj. Fugoni i policisë ku ishte Izeti, Halili dhe Elez Haklaj mbërriti më shpejt. Halil Haklaj i thotë Izet Haxhisë që t’i presim Fatmirin dhe Jahon te kafe “Aroma” dhe t’i ndahu me ta dhe ik në shtëpi, ndërsa ne po ikim në Tropojë. Elez Haklaj nuk zbriti nga furgoni i policisë, ndërsa Halil Haklaj dhe Izet Haxhia u futën te kafe “Aroma”. Në një moment kur ishin duke pritur personat e tjerë te kafe “Aroma”, Halil Haklaj është shkëputur për pak çaste duke dalë nga kafja dhe duke e lënë vetëm Izet Haxhinë aty. Pastaj është kthyer. Meqenëse Jaho Mulosmani dhe Fatmir Haklaj po vonoheshin, Izet Haxhia i ka thënë Halil Haklaj se po largohej, pasi ishte vonuar shumë dhe do të ishin bërë shumë merak njerëzit e shtëpisë së tij. Janë ngritur dhe kanë dalë nga kafe “Aroma”. Sapo kishin kapërcyer pragun e derës së kafe “Aroma”, e cila ndodhej pranë “Ushtarit të Panjohur”, kanë dëgjuar të shtëna me automatikë dhe me pistoletë. Dukej si një përplasje grupesh me armë….