Vallja e Osman Takës përfshihet në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë.
Një nga shprehjet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza.
E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, vallja dallohet për lëvizjet e fuqishme dhe elegante, përmes të cilave përcillen trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë.
Përfshirja e saj në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale është një tjetër hap në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj pasurie të çmuar të kulturës shqiptare.
