Këtë të diel, më 29 mars, akrepat e orës lëvizën një orë përpara, duke shënuar fillimin e sezonit veror. Ky proces bëhet çdo vit që nga Lufta e Parë Botërore, fillimisht për të kursyer energji, dhe vazhdon edhe sot në shumicën e vendeve europiane, përfshirë edhe Shqipërinë.
Në orën 02:00, akrepat janë zhvendosur një orë përpara, duke kaluar direkt në 03:00. Ndryshim sjell ditë më të gjata dhe më shumë dritë në orët e mbrëmjes. Ndryshimi i menjëhershëm i orarit mund të shkaktojë lodhje, përgjumje apo çrregullime të lehta të gjumit.
Studiuesit tregojnë se shumica e njerëzve përshtaten brenda një jave, por disa mund të kenë nevojë për javë ose muaj për të stabilizuar orën e brendshme. Ndryshimi i orës lidhet gjithashtu me rritje të përkohshme të aksidenteve rrugore, infarktit të zemrës dhe episodeve depresive.
Ekspertët theksojnë se drita është një faktor i rëndësishëm. Gjatë pranverës, mbrëmjet zgjasin dhe ekspozimi ndaj dritës deri vonë pengon lirimin e melatoninës, hormoni që përgatit trupin për gjumë, duke e bërë më të vështirë për të rënë në gjumë. Rekomandimi është errësimi i dhomës dhe bllokimi i dritës së jashtme për të përmirësuar cilësinë e gjumit.

