Këngëtari i njohur Pirro Çako ka reaguar me një mesazh të ndjerë pas ndarjes nga jeta të nënës së tij, sopranos së shquar Luiza Çako.
Përmes një postimi prekës në rrjetin social Instagram, Çako ka ndarë një fotografi nga fëmijëria, ku shfaqet në krahët e së ëmës, e shoqëruar me fjalët: “Lamtumirë, Nëna ime.”
Postimi shoqërohet nga kënga e tij e njohur “Xhulit”, një kompozim emocional që, në këtë kontekst, merr një tjetër dimension ndjesor. Me këtë gjest, këngëtari ka prekur mijëra ndjekës e admirues, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e madhe.
Luiza Çako, një nga emrat e rëndësishëm të skenës lirike shqiptare, u nda nga jeta pas një karriere të pasur artistike, duke lënë një trashëgimi të çmuar në muzikën shqiptare dhe në kujtesën e publikut.